AKTUALITET /

Dokumenti/ Raporti i Europol zbulon lidhjet mes krimit shqiptar dhe kartelit “Los Lobos” në Ekuador: Kokaina fshihej në ngarkesa me fruta

Kokaina fshihej në konteinerë me ngarkesa të ligjshme bananesh dhe frutash të tjera, të cilat mbërrinin në portet kryesore evropiane pa ngritur dyshime

Shkruar nga Versus

Dokumenti/ Raporti i Europol zbulon lidhjet mes krimit shqiptar dhe kartelit

Një raport i fundit i Europol ka zbuluar detaje mbi bashkëpunimin mes një grupi kriminal shqiptar dhe kartelit famëkeq ekuadorian “Los Lobos”, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si organizatat kriminale trafikonin sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës.

Sipas raportit strategjik të agjencisë evropiane të zbatimit të ligjit, karteli “Los Lobos” përdorte kompani eksporti frutash si mbulesë për dërgesat e drogës. Kokaina fshihej në konteinerë me ngarkesa të ligjshme bananesh dhe frutash të tjera, të cilat mbërrinin në portet kryesore evropiane pa ngritur dyshime.

Dokumenti shpjegon se sinjalizimet për konteinerë të dyshimtë çuan në një sërë operacionesh të koordinuara ndërkombëtare dhe sekuestrime të konsiderueshme droge. Gjatë hetimeve, autoritetet identifikuan një bashkëpunim të konsoliduar mes kartelit ekuadorian dhe një rrjeti kriminal shqiptar, i cili kishte rol kyç në organizimin e trafikut të kokainës dhe pastrimin e parave.

Në faqen 32 të raportit, Europol sjell si shembull një rrjet kriminal të bazuar në klane shqiptare, i përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e të ardhurave kriminale. Sipas dokumentit, rrjeti organizonte dërgesa disa-tonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës dhe bashkëpunonte me organizata të tjera kriminale brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Lideri i grupit koordinonte aktivitetin nga vende të ndryshme përmes komunikimeve të koduara.

Raporti thekson se, për shkak se bëhet fjalë për një vlerësim strategjik të rrjeteve kriminale, nuk publikohen emra të personave të përfshirë.

Në faqen 37 përshkruhet një tjetër rast, ku një rrjet ekuadorian i lidhur me “Los Lobos” bashkëpunonte ngushtë me një rrjet shqiptar. Sipas Europol, anëtarët e grupit shqiptar udhëtonin rregullisht drejt Ekuadorit për të negociuar marrëveshjet e drogës, ndërsa kokaina fshihej brenda ngarkesave legjitime të frutave që më pas transportoheshin drejt Evropës.

Po në të njëjtën pjesë të raportit përmendet edhe mafia italiane 'Ndrangheta, e cila, sipas Europol, ka ndërtuar një rrjet të gjerë të trafikimit të kokainës në bashkëpunim me grupet kriminale shqiptare dhe organizata të tjera të Amerikës Latine.

Raporti ndalet edhe te krimi kibernetik në Shqipëri, duke sjellë si shembull një operacion të zhvilluar këtë vit kundër një rrjeti mashtrues që operonte përmes disa call center-ave në Tiranë. Sipas Europol, rrjeti kishte rreth 450 punonjës dhe dyshohet se shkaktoi një dëm prej rreth 50 milionë eurosh ndaj viktimave. Operacioni, i realizuar nga autoritetet shqiptare dhe austriake me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, zgjati më shumë se dy vjet dhe çoi në arrestimin e 10 personave, kontrolle në disa ambiente dhe sekuestrimin e afro 900 mijë eurove cash.

“Los Lobos”, që në shqip do të thotë “Ujqërit”, konsiderohet një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Ekuador. Karteli është bërë i njohur ndërkombëtarisht për kontrollin e trafikut të kokainës, dhunën ekstreme dhe bashkëpunimin me organizata kriminale në Evropë, përfshirë rrjete të lidhura me grupet shqiptare.Versus.al

Kliko dokumentin

 

 

Dokumenta bashkëngjitur

Poll