
Policia greke ka goditur një organizatë kriminale shqiptaro-greke të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në ishullin e Mykonosit dhe në zonën e Atikës, duke arrestuar gjashtë persona gjatë një operacioni të gjerë të zhvilluar pas një hetimi disa mujor.
Sipas autoriteteve greke, operacioni u finalizua mëngjesin e së mërkurës, ndërsa hetimi kishte nisur që në mesin e muajit prill 2026. Gjatë tij u përdorën metoda të posaçme hetimore, përgjime telefonike, analiza të komunikimeve, vëzhgime dhe verifikime të kryqëzuara, të cilat mundësuan dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit.
Në pranga ranë pesë anëtarë të organizatës kriminale dhe një grua, ndërsa në krye të rrjetit dyshohet se qëndronte një 37-vjeçar me origjinë shqiptare.
Sipas dosjes hetimore, organizata funksiononte me strukturë të mirëorganizuar, me role të përcaktuara qartë për secilin anëtar dhe aktivitet të përqendruar në zonat me fluks të lartë turistik dhe ekonomik, ku kërkesa për lëndë narkotike është më e madhe.
Hetimet tregojnë se 37-vjeçari shqiptar kishte rolin e drejtuesit të organizatës. Ai ishte përgjegjës për sigurimin e furnitorëve të drogës, organizimin e transportit të lëndëve narkotike, administrimin e depove ku ruheshin sasitë e drogës, shpërndarjen në treg dhe menaxhimin e fitimeve të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Krahu i tij i djathtë ishte një 38-vjeçar grek, i cili sipas policisë kishte rol kyç në kontaktet me klientët, shpërndarjen e drogës dhe koordinimin e anëtarëve të tjerë të organizatës. Autoritetet e konsiderojnë atë si "zëvendësdrejtuesin" e rrjetit.
Sipas Policisë greke, organizata kishte krijuar një mekanizëm të konsoliduar për trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, ndërsa fitimet e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm vlerësohen të kenë arritur deri në 700 mijë euro.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve greke për goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës që veprojnë në zonat turistike gjatë sezonit veror. Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të organizatës.Versus.al

