
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal, duke dhënë vendimin përfundimtar pas zhvillimit të gjykimit me procedurën e zakonshme.
Sipas vendimit të shpallur këtë të premte, 26 qershor 2026, Plaurent Dervishaj u dënua me burgim të përjetshëm, pas bashkimit të dënimeve për disa akuza, ku më e rënda është ajo e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, me pasojë vdekjen e një personi dhe tentativën për vrasjen e një tjetri. Ai u shpall gjithashtu fajtor për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve, tentativë për vrasjen e një funksionari publik, mbajtje pa leje të armëve, vjedhje, shkatërrim prone me eksploziv dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Julian Meçaj u dënua me 35 vite burg, pasi u shpall fajtor për të njëjtat episode kriminale, përfshirë tentativën për vrasjen e një funksionari publik, vrasjen në rrethana cilësuese, sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve, armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pas bashkimit të dënimeve, gjykata vendosi një dënim të vetëm prej 35 vitesh burg.
GJKKO urdhëroi që Plaurent Dervishaj të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa për Julian Meçajn u vendos që llogaritja e dënimit të nisë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit, duke e vuajtur gjithashtu në një institucion të sigurisë së lartë.
Me vendim të gjykatës, një sërë sendesh të sekuestruara gjatë arrestimit të Plaurent Dervishajt, mes tyre ora "Rolex", bizhuteri, çelësa automjetesh luksoze dhe sende të tjera personale, do të kalojnë për efekt të procedimit pasuror. Gjithashtu, të pandehurit do të mbajnë në mënyrë solidare edhe shpenzimet procedurale dhe gjyqësore.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

