BOTA /

Planifikonte të hidhte në erë muzeun e Luvrit e një sinagogë, parandalohen sulme terroriste në Paris

I riu tunizian u arrestua nga shërbimet franceze të sigurisë; hetuesit thonë se kishte nisur të siguronte materiale për prodhimin e një bombe

Shkruar nga Versus

Planifikonte të hidhte në erë muzeun e Luvrit e një

Një 26-vjeçar tunizian është vënë nën akuzë dhe është dërguar në paraburgim në Paris, pasi dyshohet se po planifikonte një seri sulmesh terroriste në Paris, përfshirë muzeun e Luvrit dhe një sinagogë në zonën XVI të kryeqytetit francez.

Sipas mediave franceze, i riu, i identifikuar si Dafer M., u paraqit këtë të hënë para një gjyqtareje antiterrorizëm, e cila vendosi masën e paraburgimit ndaj tij. Autoritetet dyshojnë se ai kishte nisur përgatitjet konkrete për realizimin e atentateve.

Hetuesit e DGSI, shërbimi francez i inteligjencës së brendshme, e arrestuan në banesën e tij në Hauts-de-Seine, pas informacioneve alarmuese mbi aktivitetin e tij.

Sipas burimeve pranë hetimit, 26-vjeçari konsiderohej profil i vetmuar, por planet e tij kishin nisur të merrnin formë konkrete.

“Ai kishte filluar të siguronte produkte për prodhimin e një bombe. Shërbimet e sigurisë kanë shmangur një atentat të mundshëm,” citohet të ketë deklaruar një burim pranë çështjes.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi telefonin, pajisje kompjuterike dhe sende të tjera që po analizohen nga hetuesit. Autoritetet dyshojnë gjithashtu se ai kishte kontakte me simpatizantë të lëvizjeve islamiste radikale dhe të xhihadit.

Megjithëse pa precedent penal dhe pa dokumente të rregullta qëndrimi, i dyshuari jetonte me familjen dhe ishte i punësuar në Francë. Gjatë marrjes në pyetje nga policia dhe gjykatësi hetues, ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se “gjithçka nuk është e vërtetë”.

Hetimet për rastin vijojnë nën masa të forta sigurie nga autoritetet franceze.

Poll