
Polonia ka ngritur në ajër avionët e saj luftarakë dhe ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte, në përgjigje të sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës gjatë natës. Lajmi raportohet nga Sky News.
Agjencia Polake për Shërbimet e Navigacionit Ajror ka konfirmuar përmes një deklarate të shkurtër se aeroportet e Rzeszow-it dhe Lublinit janë mbyllur përkohësisht për arsye sigurie.

Në një njoftim zyrtar, Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë bëri me dije se, për shkak të aktivitetit të aviacionit strategjik të Federatës Ruse që po kryen sulme mbi territorin e Ukrainës, është aktivizuar operacioni i aviacionit ushtarak në hapësirën ajrore polake.
“Sipas procedurave, janë vënë në funksion të gjitha forcat dhe mjetet e disponueshme. Avionët luftarakë janë ngritur në ajër, ndërsa sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe të vëzhgimit me radar janë vendosur në gjendje gatishmërie të plotë,” thuhet në deklaratë.
Autoritetet polake theksojnë se këto masa kanë karakter parandaluese dhe synojnë garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore të vendit, veçanërisht në zonat pranë territoreve të konsideruara të rrezikuara nga përshkallëzimi i konfliktit. / VERSUS

