Kosovë- Sot nga ora 11:00, do të mbahet tentimi i 46-të për konstituimin e Kuvendit, pas më shumë përpjekjesh të pasuksesshme për ta zhbllokuar situatën politike.
Vendi po përballet me një ngërç institucional të zgjatur, që ka penguar formimin e organeve legjislative dhe të qeverisë së re.
Të gjitha përpjekjet e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospajtimeve ndërmjet partive politike për ndarjen e posteve kyçe dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.
Qytetarët dhe faktori ndërkombëtar kanë bërë thirrje të përsëritura për përgjegjësi politike dhe urgjencë në zgjidhjen e krizës. Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse edhe ky tentim do të sjellë ndonjë ndryshim konkret. Versus.al







