BOTA /

"Sekrete të mrekullueshme..." Bëhet publike letra e shkruar për Jeffrey Epstein nga Donald Trump

Letra e dyshimtë e vitit 2003 ndez polemikat në SHBA: Trump mohon çdo lidhje me një “kartolinë” për Jeffrey Epstein

Shkruar nga Versus

"Sekrete të mrekullueshme..." Bëhet publike letra e shkruar

Një letër e vitit 2003, e cila i atribuohet ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe është drejtuar Jeffrey Epstein, ka ndezur sërish polemikat për marrëdhëniet e dikurshme mes dy figurave të njohura të jetës mondane në SHBA. Letra, e cila përmban një vizatim të një busti femëror dhe citate të dyshimta midis Trump dhe Epstein, u bë publike këtë të hënë, më 8 shtator, nga anëtarë demokratë të Kongresit amerikan.

Çfarë përmban letra?

Sipas raportimeve, dokumenti është pjesë e një “libri urimesh për ditëlindjen” të mbledhur për 50-vjetorin e Epstein dhe përfshin një mesazh të supozuar nga Trump, i cili shkruan:

“Kemi disa gjëra të përbashkëta, Jeffrey.”
“Misteret nuk plaken kurrë, e ke vënë re?”
“Gëzuar ditëlindjen. Qofshin ditët e tua plot sekrete të mrekullueshme.”
Letra mban në fund një nënshkrim që i atribuohet Donald Trumpit, duke nënkuptuar një lloj marrëdhënie të afërt e të veçantë midis dy personazheve që më pas u përfshinë në polemika të mëdha publike Trump si president, Epstein si një financier i akuzuar për krime të rënda seksuale ndaj të miturve.

Trump e mohon
Pas publikimit të letrës, reagimi nga kampi i Trump ishte i menjëhershëm. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti dokumentin “një fabrikim i pastër për të ushqyer teoritë konspirative të demokratëve”. Ajo u shpreh se Trump nuk e ka shkruar dhe nuk e ka nënshkruar kurrë këtë letër.

Për më tepër, ish-presidenti ka paditur “Wall Street Journal” – gazetën që e publikoi fillimisht letrën në muajin korrik – si dhe pronarin e saj Rupert Murdoch, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje.

Ndërkohë, demokratët në Kongres, të cilët e publikuan letrën, kërkuan me forcë transparencë nga ish-presidenti.
“Trump flet për ‘sekrete të mrekullueshme’ që ndante me Epstein. Për çfarë sekretesh bëhet fjalë? T’i bëjë publike dokumentet!”, shkruan një postim i tyre në platformën X (ish-Twitter), i shoqëruar me një foto të letrës.

Këshilltari i lartë i Trumpit, Taylor Budowich, reagoi gjithashtu në X duke hedhur dyshime mbi autenticitetin e nënshkrimit. “Shpifje! Kjo nuk është firma e tij e vërtetë”, u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Charlie Kirk, një nga podkasterët më të ndjekur konservatorë në SHBA, i cili komentoi:

“A duket kjo si firma e vërtetë e presidentit? Aspak. Besoj se është falsifikuar.”

Ndërsa polemikat rreth rastit Epstein vazhdojnë të nxjerrin në dritë dokumente të papublikuara më parë, kjo letër e vitit 2003 ka rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjet mbi marrëdhënien mes Trump dhe financierit famëkeq. /VERSUS /

Poll