Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë të shkallës Rihter ka goditur veriperëndimin e Turqisë në orën 10:20 të mëngjesit të sotëm, më 25 prill 2025. Epiqendra e tërmetit ndodhet në afërsi të qytetit Kütahya, me thellësi fokale prej 12 kilometrash. Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), deri tani nuk ka pasur raportime për dëme materiale apo viktima.
Ky është tërmeti i katërt i fuqishëm që godet Turqinë brenda pak ditësh. Më 23 prill, një tërmet me magnitudë 6.2 ballë goditi rajonin e Marmarasë, duke shkaktuar 359 të lënduar dhe dëme materiale në disa qytete, përfshirë Stambollin. Pas këtij tërmeti, autoritetet turke kanë shpallur një fushatë të gjerë për rinovimin e 1.5 milionë ndërtesave të rrezikshme në Stamboll, duke e konsideruar këtë një çështje të sigurisë kombëtare.
Në përgjigje të këtyre ngjarjeve, Banka Botërore ka njoftuar një financim shtesë prej 1 miliardë dollarësh për zonat e prekura nga tërmetet në Turqi, duke e çuar totalin e ndihmës financiare në 4 miliardë dollarë. Ky fond do të përdoret për projekte infrastrukturore, shëndetësore dhe të shpërndarjes së ujit në rajonin juglindor të vendit.








