BOTA /

Shtetet e Bashkuara kryejnë sulme të reja kundër trafikut të drogës, 8 të vrarë

Në 48 orët e fundit, sulmet amerikane mbi anijet e dyshuara për trafik droge shkaktuan vdekjen e të paktën tetë personave, duke rritur bilancin total në 115 të vrarë.

Shkruar nga Versus

Shtetet e Bashkuara kryejnë sulme të reja kundër trafikut të  
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se gjatë 48 orëve të fundit kanë kryer sulme të reja kundër anijeve të dyshuara për trafik droge, të cilat sipas qeverisë së Donald Trump klasifikohen si objekte të lidhura me terrorizmin. Këto sulme shkaktuan vdekjen e të paktën tetë personave.

Komanda amerikane për Amerikën Latine dhe Karaibet (Southcom) bëri të ditur në rrjetin social X se të mërkurën u synuan dy anije të tjera, ndërsa në total pesë persona të lidhur me trafikun e drogës humbën jetën gjatë këtyre operacioneve. Më herët, sulme të tjera kishin shkaktuar vdekjen e tre personave dhe kishin detyruar disa të tjerë të hidhnin nga anijet për t’u shpëtuar. Southcom gjithashtu njoftoi se kishte kryer një operacion shpëtimi pas sulmeve, një hap i rrallë në kuadër të kësaj fushate.

Qeveria amerikane nuk ka dhënë detaje për vendndodhjen e saktë të këtyre operacioneve. Me këto sulme të fundit, bilanci i përgjithshëm i sulmeve amerikane kundër trafikut të drogës shkon në 115 të vrarë. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar nga autoritetet amerikane të hetojnë ligjshmërinë e këtyre sulmeve, duke ngritur shqetësime për mundësinë e ekzekutimeve jashtëligjore.

Presidenti Donald Trump ka nisur një fushatë ushtarake që nga shtatori në Karaibe dhe Paqësor, duke synuar luftën kundër trafikut të drogës. Fokus i veçantë është vendosur mbi Venezuelën, ku Trump ushtroi presion për largimin e presidentit Nicolas Maduro, të akuzuar nga Uashingtoni si kreu i një rrjeti të madh trafiku droge. Maduro mohon akuzat dhe kritikon SHBA-në për përpjekje destabilizuese për të marrë kontrollin mbi rezervat naftë të vendit.

Poll