
Një skandal i ri ka përfshirë BBC-në, pas akuzave se televizioni publik britanik ka manipuluar qëllimisht fjalimin e Donald Trump lidhur me sulmin në Kapitol, në një dokumentar të transmetuar pak ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.
Sipas gazetës konservatore britanike "The Daily Telegraph", e cila e zbuloi çështjen të martën, manipulimi është bërë në një dokumentar të emisionit investigativ “Panorama”, që u transmetua vetëm një javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit 2024 në SHBA.
Si u “ndryshua” fjalimi i Trump
Sipas akuzave, BBC ka bashkuar fragmente të ndryshme nga një fjalim i Trump, duke krijuar përshtypjen se ai i inkurajonte mbështetësit e tij “të marshonin drejt Kapitolit për t’u përleshur si djaj”.
Në fakt, në versionin e plotë të fjalimit të 6 janarit 2021, ditën kur ndodhi sulmi ndaj selisë së Kongresit në Washington, Trump kishte thënë: “Ne do të marshojmë drejt Kapitolit për të inkurajuar senatorët dhe përfaqësuesit tanë trima në Kongres.”
Shprehja “të luftojmë si djaj” ishte përdorur nga ai në një pjesë tjetër të fjalimit, pa lidhje të drejtpërdrejtë me marshimin drejt Kapitolit.
Në atë kohë, Trump refuzonte të pranonte humbjen ndaj demokratit Joe Biden, ndërsa mijëra përkrahës të tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në ngjarjen që tronditi botën.

BBC nën presion: drejtuesit përballë Parlamentit
Pas publikimit të këtyre akuzave, një zëdhënës i BBC-së deklaroi se presidenti i grupit, Samir Shah, do të paraqesë një përgjigje të plotë përpara Komisionit Parlamentar për Kulturë dhe Media ditën e hënë.
Sipas mediave britanike, përfshirë vetë BBC-në, përgjigjja pritet të përfshijë një kërkim falje publike nga drejtuesit e institucionit.
Reagimi i qeverisë britanike
Ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, e cilësoi çështjen si “jashtëzakonisht serioze”, duke thënë se ka diskutuar personalisht me drejtuesit e BBC-së për këtë incident.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për emisionin Panorama, edhe pse rasti është shumë i rëndë. Ka një sërë akuzash të tjera serioze, përfshirë dyshimet për njëanshmëri sistematike në mënyrën si BBC trajton tema të ndjeshme,” — deklaroi Nandy për BBC News.
Megjithatë, ajo shtoi se ka besim në aftësinë e drejtuesve të BBC-së për të trajtuar rastin me seriozitetin e duhur.
