
Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Armenia mund të përballet me një “skenar ukrainas” nëse vazhdon me synimet e saj për integrim evropian, ndërsa ka kërcënuar gjithashtu se do të “rrafshojë me tokë” çdo vend që tenton të sulmojë rajonin rus të Kaliningradit.
Deklaratat u bënë gjatë një konference për shtyp pas samitit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) në Astana, sipas raportimeve të The Moscow Times.
Duke komentuar aspiratat e Jerevanit për integrim në Bashkimin Evropian, Putin i krahasoi ato me zhvillimet në Ukrainë, raportojnë mediat.
“E kam përmendur tashmë këtë. Kriza në Ukrainë filloi me përpjekjet e Ukrainës për t’iu bashkuar BE-së. Ne nuk ishim kundër asaj atëherë”, tha ai.
Në të njëjtën konferencë, Putin reagoi edhe ndaj deklaratës së fundit të ministrit të Jashtëm të Lituanisë, Kęstutis Budrys, i cili kishte thënë se në rast konflikti NATO do të ishte e aftë të shkatërronte plotësisht bazat ruse në Kaliningrad.
Në përgjigje, lideri rus kërcënoi se Rusia do të “rrafshojë me tokë ata që përpiqen ta bëjnë këtë”.
Ndryshe, marrëdhëniet mes Moskës dhe Jerevanit ndodhen prej kohësh në krizë të thellë. Armenia ka akuzuar Rusinë se nuk ka përmbushur detyrimet e saj të sigurisë, ndërsa ka filluar një afrim të dukshëm me Perëndimin, përfshirë ngrirjen efektive të pjesëmarrjes në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Versus.al

