BOTA /

Sot tentativa e 21 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës — A do të kalohet ngërçi politik pas 20 dështimeve?

Një nga pengesat kryesore mbetet mënyra e votimit për kryeparlamentaren, pasi votimi i fshehtë, i propozuar nga kryesuesi Avni Dehari më 1 maj, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë politike që kundërshtojnë këtë format.

Shkruar nga Versus
Sot tentativa e 21 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës —
Foto ilustruese: Parlamenti i Kosovës

Kosovë-Pas 20 dështimeve të mëparshme, Kuvendi i Kosovës do të përpiqet edhe një herë këtë të dielë për të konstituuar legjislaturën e nëntë, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca është parashikuar të nisë në ora 11:00, por tensionet politike mbeten të larta.

Një nga pengesat kryesore mbetet mënyra e votimit për kryeparlamentaren, pasi votimi i fshehtë, i propozuar nga kryesuesi Avni Dehari më 1 maj, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë politike që kundërshtojnë këtë format.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut, por kjo kandidaturë nuk po gjen mbështetje te partitë tjera, të cilat kërkojnë një figurë konsensuale për kryetare.

Pas seancës së fundit më 23 maj, e cila dështoi për herë të 12-të në formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit, përfaqësuesit e partive theksuan se qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara.

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, fajësoi opozitën për bllokadën në Kuvend, ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për qëndrim pengues, duke theksuar se partia e saj është e gatshme të ofrojë alternativa për tejkalimin e krizës.

Në këtë situatë, ngërçi politik duket se po thellohet, duke rrezikuar stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës./Versus.al

Poll