Burime nga Tel Avivi konfirmojnë se forcat tokësore izraelite, të mbështetura nga tanke, kanë hyrë në lagjen Sabra, një periferi e qytetit të Gazës, për të zgjeruar operacionet e tyre ushtarake në zonat urbane.
Sindikata e Gazetarëve Palestinezë ka konfirmuar sot vrasjen e një tjetër gazetari në Rripin e Gazës. Khaled al-Madhoun, reporter në terren, u vra nga forcat izraelite në veri të Gazës, pranë pikës kufitare të Zikim, ndërsa priste të dokumentonte mbërritjen e një numri të kufizuar të kamionëve me ndihma humanitare për civilët.
Sipas faqes së monitorimit Shireen.ps, që mban emrin e gazetares së ndjerë të Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, e vrarë nga ushtria izraelite në vitin 2022 në Bregun Perëndimor, numri i gazetarëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës ka arritur në 270 – mesatarisht 13 gazetarë të vrarë çdo muaj.
Sulme ndaj civilëve: 8 fëmijë të vrarë sot
Lufta e përgjakshme në Gaza nuk po kursen as fëmijët. Sipas raportimeve të Al Jazeera, të paktën gjashtë fëmijë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur sot në një sulm të artilerisë izraelite mbi tendat e të zhvendosurve në zonën Asdaa, në veriperëndim të Khan Younis.
Dy fëmijë të tjerë janë vrarë në një tjetër sulm në Jabalia an-Nazla, sipas burimeve mjekësore palestineze.
#شاهد.. عدوان جديد للاحتلال على جباليا البلد في شمال قطاع غزة.https://t.co/qbg7rxGyWs pic.twitter.com/hsUBxUt4Fq
— المركز الفلسطيني للإعلام (@PalinfoAr) August 23, 2025
Të paktën 51 palestinezë të vrarë që nga mëngjesi
Sipas të dhënave të spitaleve në Gaza, të menaxhuara nga autoritetet lokale, të paktën 51 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që nga orët e para të mëngjesit të sotëm. Midis tyre ndodhen 16 persona që tentonin të merrnin ndihma, sipas raportimit të Al Jazeera.







