BOTA /

Të rinj, të zakonshëm, por shenjtorë: Frassati dhe Acutis, dy të rinjtë që bëhen sot shenjtë

Mijëra besimtarë në Sheshin e Shën Pjetrit për kanonizimin historik nga Papa Leone XIV – dy djem që e jetuan Ungjillin në përditshmëri

Shkruar nga Versus

Të rinj, të zakonshëm, por shenjtorë: Frassati dhe Acutis,

Janë me mijëra besimtarët që kanë formuar radhë të gjata për të hyrë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku prej orës 10:00 Papa Leone XIV ka nisur meshën solemne për kanonizimin e Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati. Masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm në të gjithë zonën përreth, pasi priten qindra mijëra pelegrinë nga e gjithë bota.

Papa Leone XIV, në një moment historik për Kishën, shpall sot shenjtorë dy figura që përfaqësojnë fuqishëm rininë dhe përkushtimin shpirtëror. Në bashkëkremtim do të jenë të pranishëm 36 kardinalë, 270 ipeshkvij dhe mbi 1700 meshtarë.

Shenjtëria në përditshmëri
Carlo Acutis ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare në vitin 2006, ndërsa Pier Giorgio Frassati vdiq në moshën 24-vjeçare në vitin 1925. Të dy u shuan për shkak të sëmundjeve të papritura dhe të shpejta, por lajmërimi i shenjtërisë së tyre nuk buron nga mrekullitë spektakolare, por nga mënyra se si e jetuan besimin në përditshmëri.

Acutis, me pulovër sportive dhe atlete, është shenjtori i parë “milenial”, dhe njihet si patroni i internetit. Ai e përdori kompjuterin për të shpërndarë devocionin e tij dhe për të krijuar një arkiv online mbi mrekullitë eukaristike. Dëshira e tij ishte të varrosej në Assisi, ku sot mijëra të rinj po nisen për ta nderuar.

Frassati, nga ana tjetër, ishte bir i borgjezisë së lartë italiane, i biri i drejtorit të gazetës “La Stampa”, por zgjodhi t’u shërbente më të varfërve dhe të angazhohej në shoqëri si aktivist dhe kundërshtar i fashizmit. Ai mbetet një figurë e dashur dhe frymëzuese për lëvizjet rinore katolike, veçanërisht për Aksionin Katolik, nga ku sot po vijnë autobusë të tërë nga e gjithë Italia.


Acutis e Frassati nuk janë shenjtorë tipik me duar të bashkuara në piktura klasike. Janë të portretizuar në mes të jetës së tyre të re: njëri me laptop në duar, tjetri me çantën në krah duke ngjitur malet që i donte aq shumë. Janë shembuj që Kisha po ia ofron botës, e veçanërisht të rinjve, si dëshmi se shenjtëria nuk është e largët apo e paarritshme, por mund të arrihet edhe përmes një jete të zakonshme të jetuar me besim, dashuri dhe përkushtim.

Poll