Belgjikë- Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të diskutimeve për dialogun mes dy vendeve sa i takon zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ky lajm u konfirmua edhe nga zëdhënësi i BE, Peter Stano.
“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorëve do të jetë nesër në Bruksel. Rendi i ditës është mjaft i qartë. Është rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord. Dhe sigurisht, diskutimi për çështjet që po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha dje Stano.
Mbajtja e këtij takimi ishte e pasigurt në fund të javës së shkuar meqë kishte mospajtime rreth agjendës së diskutimeve. Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do e fillojnë ditën me takimet e ndara ma të dërguarin e posaçëm nga BE për dialog, Miroslav Lajçak i cili më pas do të marrë pjesë në takimin me kryenegociatorët.
Bashkimi Europian ka mirëpritur thirrjen e bërë nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç që serbët e Kosovës të marrim pjesë në zgjedhje dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e vendit.
BE gjithashtu përsëriti thirrjen e vazhdueshme për de-përshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët.
Takimi vjen në një situatë aspak të qetë në marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç prezantoi një plan me 7 pika duke parë situatën e krijuar në veri të Kosovës ku u u zhvilluan bastisje në institucione serbe të cilat funksiononin si paralele me shtetin e Kosovës. Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Versus.al








