
Prokuroria e Dunkerque ka hapur një hetim ndaj disa pjesëtarëve të marinës franceze që marrin pjesë në operacionet e shpëtimit të emigrantëve në Kanalin Anglez, pas raportimeve për deklarata raciste dhe sjellje që mund të kenë rrezikuar jetën e personave të shpëtuar.
Hetimi është hapur për veprat penale të “fyerjeve publike për shkak të origjinës, etnisë, kombësisë, racës apo fesë” si dhe për “vënie në rrezik të jetës së të tjerëve”, bëri të ditur prokurorja e Dunkerque, Charlotte Huet, duke konfirmuar informacionet e publikuara nga gazeta Le Monde dhe media investigative Lighthouse Reports.
Sipas autoriteteve, hetimi nisi pas një kallëzimi të bërë më 13 prill nga prefektura detare e Kanalit Anglez dhe Detit të Veriut. Disa ditë më herët, një efektiv i marinës kishte denoncuar me shkrim sjelljen e katër kolegëve gjatë misioneve të shpëtimit të emigrantëve që përpiqeshin të arrinin në Mbretëria e Bashkuar gjatë muajve gusht dhe dhjetor 2025 në anijen “Ridens”.
Pas sinjalizimit, autoritetet detare kanë marrë “masa konservative”, të cilat sipas prefekturës mbeten ende në fuqi, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Një nga dëshmitë më tronditëse është publikuar nga Le Monde, ku një grua që ka qenë pjesë e misioneve në bordin e “Ridens” në vitin 2025 tregon se një koleg i saj i kishte quajtur emigrantët e shpëtuar “kafshë” dhe kishte deklaruar se “duhet t’i djegim të gjithë me flakëhedhës”.
Ajo përshkruan gjithashtu një episod ku emigrantëve të shpëtuar në det u ishte dhënë vetëm nga një shishe e vogël uji prej 33 centilitrash për gjashtë orë në një ditë të nxehtë vere, ndërkohë që sipas saj në bord ndodheshin edhe 1.250 shishe të tjera rezervë.
Anija “Ridens”, e gjatë 40 metra dhe me bazë në Dunkerque, është pjesë që prej vitit 2023 e sistemit të mbikëqyrjes dhe shpëtimit të ngritur nga shteti francez në ngushticën e Pas-de-Calais, një nga rrugët më të rrezikshme që emigrantët përdorin për të kaluar drejt Anglisë me mjete të improvizuara lundruese.
Anija i përket kompanisë private SeaOwl dhe operohet nga një ekuipazh prej rreth dhjetë personash.
Hetimi gjyqësor i është besuar xhandarmërisë detare të Kanalit Anglez dhe Detit të Veriut, e cila do të verifikojë faktet dhe statusin e personave të përfshirë. Nëse konfirmohet se të dyshuarit janë ushtarakë, çështja mund të kalojë në kompetencë të prokurorisë ushtarake franceze.

