BOTA /

Tirana zyrtare mbështet protestën e studentëve për provimin në gjuhën shqipe në Shkup, ministri Hoxha: Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore!

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha mbështet fuqishëm studentët shqiptarë në Shkup që protestojnë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar si të drejtë kushtetuese të patjetërsueshme. Ai i fton institucionet maqedonase të gjejnë zgjidhje të menjëhershme dhe të përgjegjshme, pa politizime.

Shkruar nga Versus
Tirana zyrtare mbështet protestën e studentëve për provimin
Pamje nga protesta

Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka dalë në mbrojtje të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët protestojnë për të drejtën e tyre ligjore për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në një deklaratë të publikuar sot, ai thekson se përdorimi i gjuhës amtare nuk është një privilegj, por një e drejtë kushtetuese e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund të kufizohet nga procedura administrative.

Hoxha shkruan se ka ndjekur me vëmendje të lartë shqetësimin e studentëve dhe kërkesën e tyre legjitime, duke u bërë thirrje institucioneve maqedonase të gjejnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme pa vonesa.

"Nëse procedurat janë të mangëta, detyrimi institucional është i qartë: trajtojeni me seriozitet dhe larg politizimeve", deklaron ai, duke nënvizuar se demokracitë e vërteta harmonizojnë ligjin me të drejtat e qytetarëve përmes dialogut konstruktiv.

Ministri nuk kursen fjalët e mira për studentët, të cilët përgëzon për angazhimin e tyre qytetar dhe mënyrën demokratike se si kanë shprehur pretendimet.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë.

Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.

Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve.

Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, shkruan ministri./Versus.al

Poll