Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Athinë, ku djali 24-vjeçar i një biznesmeni u rrëmbye dhe u mbajt peng për pesë orë nga katër persona, midis autorëve edhe reperin Ivan Greko.
Ngjarja ndodhi më 6 maj në zonën e Ymittos, ku tre nga rrëmbyesit sulmuan fizikisht 24-vjeçarin me mjet prerës, duke e plagosur dhe më pas e futën në një makinë.
Ata e transportuan drejt Saronidës, ku iu bashkua edhe një bashkëpunëtor tjetër i grupit, që lëvizte me motor.
Dhunë dhe torturë për para
Rrëmbyesit i kërkuan viktimës 25,000 euro dhe një motor BMW të së njëjtës vlerë, ndërsa gjatë gjithë kohës e godisnin me grushta, thikë dhe kaçavidë në trup.
Në një moment, në bregdetin e Saronidës, u përdor edhe armë zjarri për ta kërcënuar. Ata e detyruan të telefononte miq të tij për të mbledhur paratë.
Madje, tentuan t’i prisnin gishtat me prerëse metali, por nuk ia dolën për shkak të rezistencës së tij.
Arratia dhe arrestimi i grupit
Ndërsa po shkonin drejt zonës së Glyfadës për të marrë paratë, 24-vjeçari arriti të shpëtonte dhe të njoftonte një person të afërt. Deri në atë moment, rrëmbyesit kishin vjedhur nga ai çelësat e makinës, 740 euro, një karikues dhe një orë luksoze me vlerë deri në 29,000 euro. Kërcënimet ndaj tij vazhduan edhe pas arratisë, përmes mesazheve dhe videove në rrjete sociale.
Më 22 maj, policia zhvilloi një operacion në zona të ndryshme të Athinës dhe arrestoi të gjithë pjesëtarët e grupit kriminal.
Rasti i rrallë i "tiger kidnapping"
Policia e klasifikon këtë rast si "tiger kidnapping", një formë rrëmbimi ku viktima mbahet nën presion ekstrem për të përmbushur kërkesa financiare, shpesh pa ngritur dyshime.
Grupi veproi në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar, duke përdorur rollet e ndara dhe dhunë ekstreme për të përfituar përfitime të paligjshme financiare.
Prokuroria greke ngriti 11 akuza të rënda, mes të cilave, rrëmbim me bashkëpunim me qëllim detyrimi të viktimës për të kryer ose moskryer veprime kundër vullnetit të tij./Versus.al







