Një rast tronditës ka marrë fund këtë të shtunë në Francën lindore, ku një gjykatë e rajonit Haute-Savoie shpalli fajtor dhe dënoi me 10 vjet burg një mjek gjinekolog për përdhunimin e nëntë pacienteve gjatë konsultave mjekësore.
Gjykimi erdhi pas padive të ngritura nga 30 gra, të cilat e akuzuan mjekun – në të 60-at dhe me praktikë në qytetin Bonneville – për sulme seksuale sistematike gjatë vizitave që, sipas tyre, ishin maskuar si ekzaminime mjekësore.
Sipas avokates së viktimave, Aurélie Zakar, gjykata konkludoi se aktet e kryera prej mjekut nuk kishin asnjë bazë mjekësore. “Depërtimi i kryer gjatë konsultave nuk ishte i nevojshëm nga ana mjekësore – ishte i seksualizuar”, tha Zakar, duke shtuar se tre nga klientet e saj u njohën zyrtarisht si viktima: “Ata janë dëgjuar, u është besuar. Tani mund të nisin procesin për të rindërtuar jetën e tyre.”
Akuzat përfshijnë raste të penetrimit me organet gjenitale gjatë konsultave, si dhe “ekzaminime” rektale dhe vaginale të pajustifikuara, që mjeku i kishte paraqitur si të domosdoshme për diagnozë.
Mjeku, i cili ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha akuzat, ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin.
Sipas avokates tjetër, Patricia Lyonnaz, që përfaqëson tri paditëse të tjera – përfshirë dy gra që në kohën e ngjarjeve ishin të mitura – debati gjatë procesit gjyqësor ka qenë “i nxehtë” rreth konceptit të qëllimit. Ajo theksoi se të gjitha viktimat morën guximin për të dëshmuar personalisht në gjyq: “Këto nuk janë gra që kërkojnë hakmarrje – ato kërkuan drejtësi.”







