
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e paralajmëroi sot Kubën se duhet të bëjë një marrëveshje me SHBA-në, përndryshe kombi ishullor nuk do të marrë më naftë apo para nga Venezuela.
“NUK DO TË KETË MË NAFTË APO PARA QË SHKON NË KUBË – ZERO! U SUGJEROJ FORTËSISHT QË TË BËJNË NJË MARRËVESHJE, PARA SE TË JETË TEPER VONË”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
“Kuba jetoi për disa vite me shumat e mëdha të naftës dhe parave që vinin nga Venezuela”, tha Trump.
Venezuela është furnizuesi më i madh i naftës në Kubë, por pas kapjes së Nicolas Maduro nga forcat amerikane, Trump ka ushtruar presion mbi presidenten Delcy Rodriguez që të lejojë transportimin e naftës venezueliane në Shtetet e Bashkuara.
Agjencitë e inteligjencës amerikane paraqesin një pamje të zymtë të situatës ekonomike dhe politike të Kubës, por vlerësimet e tyre nuk ofrojnë mbështetje të qartë për parashikimin e Trump se regjimi i ishullit është "gati të shembet", raportoi Reuters të shtunën, duke cituar tre persona të njohur me vlerësimet konfidenciale.
Pikëpamja e CIA-s është se sektorët kryesorë të ekonomisë kubane, siç janë bujqësia dhe turizmi, janë nën presion të rëndë për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, sanksioneve tregtare dhe problemeve të tjera.
Humbja e mundshme e importeve të naftës dhe mbështetjes tjetër nga Venezuela, një aleat kyç për dekada të tëra, mund të jetë një goditje serioze për regjimin që ka sunduar Kubën që kur Fidel Castro udhëhoqi një revolucion në vitin 1959.
Midis janarit dhe nëntorit të vitit të kaluar, Venezuela dërgoi mesatarisht 27,000 fuçi naftë në ditë në ishull, duke mbuluar rreth 50% të deficitit të naftës së Kubës, sipas të dhënave të transportit dhe dokumenteve nga kompania shtetërore e naftës e Venezuelës, PDVSA./Versus.al

