Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kanë shprehur optimizëm se një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës është afër pas bisedimeve të tyre në Florida, edhe pse çështja e ndërlikuar e territorit mbetet e pazgjidhur.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit me Zelenskyy në pronën Mar-a-Lago dhe pas një telefonate të mëparshme me Presidentin rus Vladimir Putin të dielën, Trump tha se Moska dhe Kievi ishin "më afër se kurrë" një marrëveshjeje paqeje.
"Ne kemi bërë shumë përparim në përfundimin e asaj lufte. Do të shohim nëse do të arrihet, por është shumë afër, sigurisht"- tha Trumpi gjatë një konference për shtyp me Zelenskyn.
Presidenti ukrainas tha se një plan paqeje prej 20 pikash i zbuluar javën e kaluar ishte "90 përqind i dakordësuar" dhe se garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë ishin "100 përqind të dakordësuara".
"Ne ramë dakord që garancitë e sigurisë janë një moment kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet", tha Zelenskyy.
Megjithatë, bisedimet nuk prodhuan ndonjë përparim të dukshëm mbi çështjen delikate të territorit ukrainas.
Trump pranoi se një ose dy çështje "shumë të vështira" mbetën të pazgjidhura, përfshirë statusin e rajonit lindor të Donbasit, i cili u aneksua nga Rusia pas pushtimit të plotë në vitin 2022.
Trump tha se palët ishin "më afër" një marrëveshjeje mbi një propozim të SHBA-së për të krijuar një "zonë të lirë ekonomike" në pjesë të rajonit, sipas së cilës Kievi do të tërhiqte forcat e tij si pjesë e një paqeje të negociuar.
"Nuk do të thoja se jemi dakord, por po i afrohemi një marrëveshjeje për këtë, dhe kjo është një çështje e madhe. Sigurisht, kjo është një nga çështjet e mëdha, dhe... është e pazgjidhur", tha Trump.

