Viktima e vrasjes së ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Eirinis” në Agia Paraskevi të Greqisë është identifikuar si një shtetas norvegjez, 43 vjeç, profesor dhe baba i dy fëmijëve. Ai u qëllua për vdekje me të paktën tre plumba në qafë.
Sipas mediave greke, identifikimi i tij u bë falë çelësave që mbante me vete dhe dëshmive nga persona të pranishëm në zonë. Si autor i dyshuar i vrasjes është ish-bashkëshorti i partneres së viktimës, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.
Dëshmitarët thanë se autori ishte i veshur me rroba të zeza dhe kishte mbuluar fytyrën me maskë. Pas krimit, ai është larguar me vrap në këmbë drejt rrugës Evergetou Giavasis. Nuk dihet ende nëse kishte një automjet pranë ose ndihmë nga ndonjë person tjetër për t’u larguar nga vendngjarja.
Policia greke konfirmon se viktima nuk ka pasur më parë asnjë kontakt me autoritetet apo përfshirje në çështje kriminale. Hetimet janë ende në vazhdim dhe kërkimet për autorin po intensifikohen. /Versus.al/







