AKTUALITET /

“Sot për ne është ditë zie, duhet t’i jepnim lamtumirën Eneas”, letra publike e një polici nga protesta para Kryeministrisë: Pas uniformës është një njeri, respektojeni!

Në letrën publike, efektivi i policisë shkruan se "ne jemi si ju, me të njëjtat halle, dhimbje dhe përgjegjësi. Thjesht kemi zgjedhur një profesion në shërbim të qytetarëve dhe të familjeve tona

Shkruar nga Versus

“Sot për ne është ditë zie, duhet t’i jepnim

Në protestën qytetare që po zhvillohet para Kryeministrisë, kordoni i policëve qëndron aty pa lëvizur deri në përfundimin e saj.

Mes radhëve të policëve janë dhe vajza, që u buzëqeshin të rinjve që u dhurojnë lule në shenjë respekti për detyrën e sakrificën e tyre.

Por sot është një ditë zie për të gjithë uniformat blu dhe gjesti simbolik nga protestuesit lidhet dhe me ta.

E teksa forcat e angazhuara në protestën e sotme qëndrojnë në bulevard, ata do të dëshironin të ishin në Maliq, për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolegut të tyre, Enea Mekolli, që u vra sot gjatë një shkëmbimi zjarri me një person që kërkohej nga policia.

Në një letër publike, një polic që po shërben mbrëmjen e sotme në bulevardin e madh, ka një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Ju lutem, të paktën në këto ditë zie, trajtojini me respekt punonjësit e Policisë së Shtetit. Nëse keni pranë një efektiv policie, shprehini një fjalë ngushëllimi. Pas uniformës ka një njeri, një familjar, një mik, një prind apo një fëmijë”, thotë ndër të tjera efektivi i policisë.

Letra e plotë

Edhe pse për ne është ditë zie, ne jemi sërish këtu për t'ju shërbyer dhe për të bërë punën tonë.

Qoftë sipas ligjit, qoftë sipas traditave tona shekullore shqiptare, kur një familje humbet një njeri të dashur, pjesëtarët e saj ndalen për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Por sot, për punonjësit e Policisë së Shtetit, është një ditë e zakonshme pune, edhe pse me zemra të thyera dhe sy të mbushur me lot.

Këto rreshta nuk po i shkruaj për të kërkuar mëshirë. E di që secili mund të ketë pasur pakënaqësi apo përvoja jo të mira me punonjës të policisë.

Po i shkruaj për të kërkuar respekt dhe dinjitet, diçka që jo gjithmonë e gjejmë nga punëdhënësi, pushtetarët apo ata që konsiderohen "të fortët" e shoqërisë.

Ju lutem, të paktën në këto ditë zie, trajtojini me respekt punonjësit e Policisë së Shtetit. Nëse keni pranë një efektiv policie, shprehini një fjalë ngushëllimi. Pas uniformës ka një njeri, një familjar, një mik, një prind apo një fëmijë.

Ata janë në shërbim jo vetëm në ditët e zakonshme, por edhe në ditët më të vështira të jetës së tyre. Janë aty kur ju keni nevojë dhe vazhdojnë të jenë aty edhe kur të tjerët festojnë.

Të gjithë kemi një të afërm, mik apo të njohur që shërben në Policinë e Shtetit. Ne jemi si ju, me të njëjtat halle, dhimbje dhe përgjegjësi. Thjesht kemi zgjedhur një profesion në shërbim të qytetarëve dhe të familjeve tona.

Ngushëllime familjes së kolegut tonë.

Lutje dhe shpresë për shërimin e shpejtë të kolegut të plagosur.

I paharruar kujtimi i kolegut tonë. Versus.al

“Sot për ne është ditë zie, duhet t’i jepnim

Poll