
Një festë familjare për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së është kthyer në tragjedi në lagjen Coney Island të Brooklyn-it, në Nju Jork, pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj të pranishmëve, duke lënë të plagosur tetë persona, mes tyre katër fëmijë.
Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja ndodhi rreth orës 22:35 të së shtunës, ndërsa një familje po festonte 4 Korrikun në oborrin e banesës së saj.
Sipas hetimeve paraprake, autori, i veshur tërësisht me të zeza dhe me maskë në fytyrë, iu afrua gardhit përgjatë Surf Avenue dhe hapi zjarr disa herë në drejtim të turmës, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nga të shtënat mbetën të plagosur dy burra, dy gra dhe katër të mitur të moshave 14, 12, 7 dhe 6 vjeç. Të gjithë u transportuan menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Autoritetet bëjnë me dije se shtatë prej të plagosurve ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një grua 21-vjeçare po lufton për jetën, pasi ndodhet në gjendje kritike.
Policia ka sekuestruar një armë zjarri në vendin e ngjarjes, por deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim. Forcat e rendit po vijojnë hetimet për të identifikuar autorin ose autorët e sulmit, si edhe për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Coney Island, në një ditë që zakonisht shoqërohet me festime dhe aktivitete familjare në mbarë Shtetet e Bashkuara./Versus.al
View this post on Instagram

