
Një video e njërës prej xhamive më të mëdha të Iranit që digjet, me një valë protestuesish që brohorasin slogane kundër regjimit, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa vendi po përjeton një nga kryengritjet më të mëdha në tre vjet.
Videoja është ndarë nga aktivistja iraniane e të drejtave Masih Alinejad. "Një nga xhamitë më të mëdha të Iranit u dogj gjatë kryengritjes. Mos u frikësoni. Ky nuk është kaos. Janë 47 vjet zemërim. Për 47 vjet, pas çdo Allahu Ekber nga këto minare, iranianë të pafajshëm u ekzekutuan nga një regjim islamist", shkroi ajo në një postim në X teksa objekti i rëndësishëm fetar është përfshirë nga flakët duke ngjallur zemërim tek shumë besimtarë.
Deri tani kanë vdekur me qindra protestues ndërsa protestat sa vijnë e përshkallëzohen.
Khamenei, në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror, tha se duart e Presidentit të SHBA-së Donald Trump "janë të njollosura me gjakun e më shumë se një mijë iranianëve", duke iu referuar me sa duket luftës së qershorit të Izraelit kundër Republikës Islamike, të cilën SHBA-ja e mbështeti dhe iu bashkua sulmeve.
Ai parashikoi se udhëheqësi "arrogant" i SHBA-së do të "përmbysej" si dinastia perandorake që sundoi Iranin deri në revolucionin e vitit 1979.
"Të gjithë e dinë se Republika Islamike erdhi në pushtet me gjakun e qindra mijëra njerëzve të ndershëm, ajo nuk do të tërhiqet përballë sabotatorëve."
Ndërkohë, Reza Pahlavi, princi në mërgim i Iranit, i ka kërkuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump të ndërhyjë në kryengritjen që ka çuar në një përplasje midis protestuesve dhe zyrtarëve të sigurisë. Versus.al

