
I dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff udhëton për në Berlin, për t'u konsultuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe krerët e qeverive dhe shteteve të BE-së për një zgjidhje paqësore për Ukrainën. Këtë ua konfirmoi disa medieve në SHBA Shtëpia e Bardhë.
Konsultimet zhvillohen të dielën (14.12.2025), sikurse njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa duke iu referuar burimeve qeveritare në Berlin. Edhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, sipas këtyre të dhënave, do të jetë në këto konsultime në Berlin. Witkoffi dhe Kushneri të ngarkuar nga qeveria në Uashington negociuan me përfaqësuesit rus dhe ukrainas për kushtet e armëpushimit në Ukrainë.

Si do të vazhdohet me diplomacinë për Ukrainën
Bisedimet për fundin e luftës në Ukrainë po vazhdojnë me intensitet të lartë. Qëllimi i bisedimeve është të shqyrtohet arritja e një pozicioni të përbashkët për një marrëveshje paqeje me Rusinë. Një përfaqësues i presidencës franceze tha, se duhet të arrihet një ofertë bisedimesh ndaj Rusisë.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të jenë për bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz si dhe me përfaqësues të nivelit të lartë të NATO-s në Berlin. Qeveria gjermane konfirmoi të premten (11.12.2025), se Merz do të presë presidentin ukrainas për bisedime ekonomike dhe "për shkëmbim mendimesh lidhur me stadin e bisedimeve për paqen në Ukrainë". Më vonë u konfirmua se në këto bisedime do të marrin pjesë edhe "disa kryetarë shtetesh dhe qeverish europiane si dhe drejtues të BE dhe NATO-s".
Plani i SHBA-së parashikon lëshime territoriale nga Ukraina
SHBA rreth tri javë më parë paraqitën një plan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në versionin fillestar plani parashikonte shkëputje territoresh nga Ukraina duke i bërë lëshime Rusisë. Me insistimin e Ukrainës dhe të aleatëve europianë dokumenti u përpunua. SHBA presin megjithatë ende nga Ukraina që të bëjë lëshime territoriale ndaj Rusisë. Moska deri tani nuk ka shprehur aspak gatishmëri që të tërhiqet nga objektivat e saj të luftës dhe të pranojë bisedime diplomatike për fundin e luftës. / ard/dpa

