BOTA /

Zelensky i drejtohet popullit ukrainas: “Marrëveshja e paqes është gati në 90%”

Presidenti paralajmëron se 10% e mbetur do të vendosë fatin e Ukrainës dhe të Evropës

Shkruar nga Versus

Zelensky i drejtohet popullit ukrainas: “Marrëveshja e paqes
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në mesazhin e tij të Vitit të Ri, të mërkurën në mbrëmje, se marrëveshja e paqes për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është “gati në 90%”. Megjithatë, ai theksoi se 10% e mbetur është vendimtare dhe “përmban gjithçka”.

“Marrëveshja e paqes është gati në 90%. Kanë mbetur 10%… dhe pikërisht këta 10% do të përcaktojnë fatin e paqes, fatin e Ukrainës dhe të Evropës”, u shpreh Zelensky në një mesazh video të publikuar në llogarinë e tij në Telegram.

Presidenti ukrainas theksoi se Ukraina dëshiron përfundimin e konfliktit, por jo “me çdo çmim”. Ai nënvizoi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci të forta sigurie, të afta për të penguar Rusinë nga një agresion i ri në të ardhmen.

Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të ndërtojnë një marrëveshje paqeje duke marrë parasysh qëndrimet e Moskës dhe Kievit, por pa arritur konsensus për çështjen kyçe të territoreve. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 19% të territorit ukrainas. Presidenti rus Vladimir Putin synon aneksimin e plotë të rajonit industrial të Donbasit, në lindje të Ukrainës.

Megjithatë, Zelensky përsëriti se nuk beson që Rusia do të ndalet vetëm në Donbas. “Të thonë: ‘Tërhiquni nga Donbasi dhe gjithçka do të marrë fund’. Ja si duket mashtrimi kur përkthehet nga rusishtja – në ukrainisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, apo në cilëndo gjuhë tjetër të botës”, ironizoi ai.

Disa orë më herët, shefja e diplomacisë evropiane akuzoi Rusinë se po përpiqet të “sabotojë” përpjekjet për paqe, duke përmendur kërcënime të reja për sigurinë. Lufta në Ukrainë, e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022, mbetet konflikti më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. /VERSUS

Poll