
Hungaria po zhvillon një nga proceset zgjedhore më të rëndësishme të dekadave të fundit, me një pjesëmarrje rekord që tregon interes të lartë të qytetarëve për drejtimin e vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, deri rreth orës 15:00 pjesëmarrja në votime ka kaluar 66%, rreth 10% më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke reflektuar mobilizim të lartë të elektoratit.
Në garë janë kryeministri aktual Viktor Orbán, lider i partisë Fidesz, dhe opozitari Péter Magyar, themelues i Partisë Tisza, i cili ka premtuar ndryshim politik dhe afrimin e Hungarisë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Orbán, i cili ka dominuar politikën hungareze për 16 vite, vijon të përballet me kritika nga Brukseli për qëndrimet e tij dhe përdorimin e shpeshtë të vetos në vendimmarrjet e përbashkëta të BE-së.
Zyrtarët në Bruksel po ndjekin nga afër zhvillimet, duke parë dy skenarë të mundshëm: vazhdimin e tensioneve me qeverinë aktuale ose një riorientim të politikës së jashtme në rast fitoreje të opozitës.
Ndërkohë, në Budapest është krijuar edhe një atmosferë e pazakontë pas votimit, ku në sheshin Kossuth Lajos janë mbledhur qindra të rinj për një event me muzikë techno, i cili është përshkruar si një “afterparty” zgjedhor.
Aktiviteti, i quajtur “Më shumë techno në Parlament”, shihet njëkohësisht si festë, pritje e rezultateve dhe formë simbolike proteste, ndërsa pritet të vijojë edhe në hapësira të tjera kulturore në qytet./Versus.al

