
Lindja e Mesme është e gjitha nën tensionet e luftës, ndërsa në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit është përfshirë së fundmi edhe Libani. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit u dërguan libanezëve thirrje në telefonat celularë duke i këshilluar që të hynin në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndronin atje deri në një njoftim të mëtejshëm.
Si pasojë e sulmeve izraelite në Bejrut, janë vrarë 31 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.
Ndërsa gjatë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm ka patur bombardime të vazhdueshme nga ana e Iranit kundrejt Izraelit duke lënë 9 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Tani ekziston një front i ri në një luftë që po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme. Mbrëmë Hezbollahu, grupi milicial shiit libanez që është mbështetur nga Irani me miliarda dollarë, qëlloi me raketa qytetin izraelit të Haifës.
Izraeli u përgjigj me një sulm ajror të gjerë. Në shënjestër u vu fortesa e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe zonat afër aeroportit të qytetit.
Në jug të vendit, Izraeli u ka thënë njerëzve në më shumë se 50 fshatra libanezë të evakuohen, duke ndërmarrë sulme edhe atje.
Hezbollahu nuk është më forca që ishte pasi u godit nga Izraeli në luftën 18 muaj më parë. Por me lidhje të forta ideologjike, fetare dhe financiare me Iranin, ishte pothuajse e pashmangshme që grupi të tërhiqej në një konflikt në të cilin pothuajse çdo vend në Lindjen e Mesme është përfshirë tani. Versus.al

