
Në ishullin francez të Reunionit, në zemër të Oqeanit Indian, po realizohet një nga projektet rrugore më ambicioze dhe më të shtrenjta në botë. Bëhet fjalë për “Rrugën e Re Bregdetare”, një vepër gjigante infrastrukturore që do të lidhë kryeqytetin Saint-Denis me qytetin portual La Possession, duke zëvendësuar rrugën e vjetër bregdetare, e konsideruar prej dekadash si një nga më të rrezikshmet në Francë.
Kostoja e projektit pritet të arrijë në rreth 200 milionë euro për kilometër, një shifër rekord e diktuar nga kompleksiteti i ndërtimit. Një pjesë e madhe e rrugës, e cila shtrihet mbi 12 kilometra, është ndërtuar mbi oqean dhe mbështetet në shtylla gjigante të ankoruara thellë në fundin e detit.

Edhe pse që prej vitit 2022 shoferët përdorin një pjesë të konsiderueshme të saj, segmenti i fundit drejt La Possession vazhdon të jetë në ndërtim. Sipas planit aktual, projekti i plotë pritet të përfundojë në vitin 2030.
Pjesa më mbresëlënëse e kësaj vepre është viadukti 5.4 kilometra i gjatë, i ngritur mbi oqean. Struktura është projektuar për të mbajtur gjashtë korsi trafiku, një korsi të dedikuar për transportin publik, si dhe hapësira për biçikleta dhe këmbësorë. Përveç sigurisë rrugore, projekti synon të promovojë edhe forma më të qëndrueshme transporti në ishull.
Ndërtimi në det të hapur ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme inxhinierike. Rrymat e forta, dallgët e mëdha dhe moti tropikal e kanë bërë procesin tepër kompleks. Për këtë arsye, shumë pjesë të strukturës janë përgatitur paraprakisht në tokë dhe më pas janë transportuar me anije të specializuara drejt zonës së ndërtimit.

Viadukti, i ngritur rreth 30 metra mbi nivelin e detit, është projektuar për të përballuar edhe stuhitë më të forta. Ai mbështetet në 48 shtylla masive dhe përbëhet nga mbi 1,300 segmente të parafabrikuara. Pozicionimi i tij larg bregut synon gjithashtu të mbrojë përdoruesit nga rrëshqitjet e dheut dhe rënia e shkëmbinjve, probleme që kanë shoqëruar prej vitesh rrugën e vjetër RN1.
Kjo rrugë e mëparshme kalonte pranë shkëmbinjve të pjerrët dhe ishte shpesh skenë aksidentesh fatale. Gjatë 50 viteve të fundit, më shumë se 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të gurëve dhe baltës, ndërsa rruga mbyllej vazhdimisht gjatë shirave të rrëmbyeshëm dhe stuhive tropikale.
Ndërtimi i rrugës së re nuk ka kaluar pa polemika. Fillimisht, një pjesë e saj ishte planifikuar të ndërtohej mbi një mur artificial përgjatë bregdetit, por kundërshtimet e ambientalistëve ndaj hapjes së guroreve për nxjerrjen e gurëve detyruan autoritetet të ndryshonin projektin dhe të zgjidhnin variantin e viaduktit. Ky ndryshim solli vonesa të mëdha dhe rritje të ndjeshme të kostove.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, shumë banorë e konsiderojnë këtë projekt jetik për të ardhmen e ishullit. Autoritetet lokale thonë se segmentet tashmë të hapura kanë përmirësuar ndjeshëm sigurinë rrugore. Me këtë projekt spektakolar, Reunioni po fiton jo vetëm një nga rrugët më të kushtueshme në botë, por edhe një nga më mahnitëset.
Ndarja e tregut bankar: Bien më të mëdhenjtë, rriten bankat vendase
Euro në Shqipëri më e dobët se kurrë, sot u këmbye me 95.4 lekë

