EKONOMI & MJEDIS /

Ndarja e tregut bankar: Bien më të mëdhenjtë, rriten bankat vendase

Shkruar nga Versus

Ndarja e tregut bankar: Bien më të mëdhenjtë, rriten bankat Kapitali shqiptar e rriti sërish pjesën në tregun bankar për vitin 2025. Përqendrimi i tregut është në rënie për indikatorët kryesorë, ndërsa pritet që këtë vit të nisin aktivitetin dy banka të reja.

Edhe viti 2025, në përgjithësi, konfirmoi tendencën disavjeçare të zgjerimit të bankave me kapital vendas. Së bashku, bankat me kapital shqiptar arritën në 38% të aktiveve totale të tregut, nga 37.2% që mbanin një vit më parë.

Në dekadën e fundit, pjesa e tregut e bankave shqiptare është rritur me dy herë e gjysmë.

Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA).

Cikli i shitblerjeve të sektorit bankar, që nisi pas vitit 2015, solli faktorizim më të madh të kapitalit vendas brenda sistemit bankar. Numri i bankave me kapital shqiptar u rrit, por ndërkohë edhe bankat ekzistuese vijuan rritjen, qoftë atë organike, qoftë nëpërmjet blerjeve të bankave rivale.

Ndërkohë që një pjesë e bankave me aksionarë nga vendet e BE-së mbajtën një qasje më të kujdesshme, edhe të diktuar nga shtrëngimi i kuadrit rregullator të mbikëqyrjes në nivel komunitar, ato shqiptare patën më shumë liri në vendimmarrje dhe shfrytëzuan mirë hapësirat që u krijuan në treg nga tërheqja e bankave të huaja.

Kjo fazë më tej u favorizua edhe nga cikli pozitiv i sektorit financiar pas pandemisë, i karakterizuar nga rritja e ofertës për kredi dhe oreksit për rrezik.

Bankat më të mëdha humbën terren edhe në vitin 2025

Bankat më të mëdha në treg humbën përsëri terren në treg gjatë vitit 2025, tendencë kjo e lidhur me rritjen më të shpejtë të një grupi të bankave të përmasave të mesme, kryesisht me kapital vendas.

Banka më e madhe për nga vlera e aseteve edhe vitin e kaluar ishte Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 24.1% të tregut. Megjithatë, pjesa e tregut të BKT pësoi rënie nga niveli prej 24.5% i një viti më parë.

Ndjek Credins Bank, me 16.5% të aktiveve, në të njëjtin nivel me një vit më parë.

Raiffeisen Bank mban vendin e tretë, me 14.2% të tregut, por edhe banka e grupit austriak ka pësuar rënie të pjesës së tregut nga niveli prej 14.4% i një viti më parë.

Intesa Sanpaolo gjithashtu ka rënë në 9.5% të aseteve totale të tregut, ndërsa një vit më parë mbante 9.9%.

Vijon Banka OTP Albania me 8.7% të aktiveve të tregut, edhe kjo në rënie nga niveli prej 8.8% i vitit 2024.

Tirana Bank ishte banka me rritjen më të lartë në treg për të dytin vit radhazi. Banka e grupit BALFIN arriti në 8.1% të totalit të aktiveve, nga 7.6% që zotëronte në vitin 2024.

Ndjek Banka Amerikane e Investimeve, me 7% të tregut, edhe kjo me rritje nga niveli prej 6.7% i një viti më parë.

Union Bank është rritur në 5.3% të tregut, nga 5.1% që mbante në fund të vitit 2024.

Në rritje të ndjeshme është Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 3.3%, edhe kjo në rritje nga niveli 2.9% i një viti më parë.

ProCredit Bank Albania është rritur në 2.4%, nga 2.3% në vitin 2024.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) mbyll renditjen me 1.1% të tregut, në rënie nga niveli prej 1.2% i një viti më parë.

Tregu i kredisë: “Kthehet” BKT, Tirana Bank përsëri me rritjen më të lartë

 Credins Bank ishte edhe për vitin e kaluar banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare. Megjithatë, pesha e Credins në portofolin total të kredisë u korrektua në ulje, në nivelin 17.6%, nga 18.5% që mbante një vit më parë.

Edhe Raiffeisen Bank ka humbur pjesë në tregun e kredisë për të dytin vit radhazi. Në fund të vitit 2025, banka shqiptare e grupit vjenez zotëronte 15.8% të portofolit total të kredisë së sektorit, nga 15.9% që mbante një vit më parë.

Banka më e madhe në vend, BKT, vitin e kaluar rifitoi ndjeshëm terren në tregun e kredisë, duke arritur në 13.7%, nga 12.8% që zotëronte në fund të 2024.

Pjesa e tregut e OTP Albania vitin e kaluar u ul në 12.8%, nga 13.2% që ishte një vit më parë, duke zbritur në renditjen e tregut të kredisë, pas BKT.

Bankat e përmasave të mesme me kapital vendas vazhdojnë të jenë ndër subjektet më aktive në drejtim të kredidhënies dhe kanë fituar më tej terren vitin e kaluar.

Tirana Bank ka konsoliduar vendin e pestë në tregun e kredisë, duke u rritur në 10%, nga 9.3% që mbante një vit më parë. Tirana Bank ishte njëkohësisht banka me rritjen më të madhe të pjesës së tregut të kredisë për të dytin vit radhazi.

Rritje në pjesën e tregut ka arritur edhe ABI Bank, që në fund të 2025-s arriti në 7.5% të portofolit total, nga 7.3% që mbante një vit më parë.

Edhe për vitin 2025, vazhdoi rënia e Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri, që zbriti në 6.9% të tregut, nga 7% që zotëronte një vit më parë.

Megjithëse rënia është frenuar në krahasim me vitet e mëparshme, banka e vetme me kapital italian në vend nuk po arrin të mbajë ritmin e shpejtë të zgjerimit të portofolit të shumicës prej bankave konkurrente.

Rritje në pjesën e tregut të kredisë ka shënuar Union Bank, në 6.4%, nga 6.2% që mbante në vitin 2024.

Ndjek Fibank, që edhe për 2025 është rritur në tregun e kredisë, në nivelin 4.1%, nga 3.9% që kishte qenë një vit më parë.

Ndjek ProCredit Bank, që në 2025 mbante 3.9% të tregut, por edhe ajo në rënie krahasuar me nivelin prej 4% të një viti më parë.

Mbyll renditjen UBA, që ka pësuar rënie të ndjeshme në tregun e kredisë dhe ka zbritur në 1.4%, nga 1.9% që mbante një vit më parë.

Depozitat, rriten sidomos bankat që ofruan interesa më të larta

Depozitat dominojnë strukturën e detyrimeve të sektorit bankar dhe janë burimi kryesor ku mbështetet ndërmjetësimi financiar në ekonominë shqiptare. Pjesa e tregut në depozita përcakton në një masë të madhe edhe aftësinë e bankave për të rritur pjesën e tregut edhe në krahun e aktiveve, duke qenë një element shumë i rëndësishëm konkurrues mes bankave.

Edhe ecuria e tregut të depozitave, në vija të përgjithshme, reflekton tendencat e krahut të aktiveve në bilanc, ku bankat më të mëdha në përgjithësi kanë humbur terren, ndërkohë që janë rritur sidomos një grup i bankave të mesme.

Rritje të ndjeshme kanë shënuar bankat që kanë ndjekur një politikë më agresive të normave të interesit, duke përfshirë edhe oferta të posaçme sezonale, sidomos gjatë verës.

Banka më e madhe në vend, BKT, vazhdon të jetë dominuese edhe në këtë segment të tregut. Pjesa e BKT në fund të vitit 2025 zbriti në 24.3%, nga niveli prej 25% i një viti më parë.

Ndjek Credins Bank, që në fund të vitit 2025 zotëronte 17.2% të depozitave totale, në rënie nga niveli prej 17.5% i një viti më parë.

Raiffeisen Bank, ndërkohë, ka humbur përsëri pjesë tregu dhe ka zbritur në 15%, nga 15.2% që mbante një vit më parë.

Edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania pësoi rënie në 9.5%, nga 9.9% që mbante një vit më parë.

OTP Albania gjithashtu ka pësuar rënie të lehtë në tregun e depozitave, në 8.6%, nga niveli prej 8.7%.

Rritjen më të lartë, edhe në tregun e depozitave, e arriti Tirana Bank, në 7.8% të totalit, nga 7.1% një vit më parë.

ABI Bank gjithashtu u rrit ndjeshëm në 6.3% të tregut të depozitave, nga 5.8% që zotëronte në fund të 2023.

Union Bank qëndroi në nivelin e 4.8% po aq sa një vit më parë.

Vijon Fibank, që u rrit 3.1%, nga 2.8% në 2024 dhe ProCredit, me 2.2% të tregut, nga 2.1% që mbante në fund të 2024.

Ndërsa pjesa e tregut e UBA ka rënë lehtë në 1.1%, nga 1.2% një vit më parë.

Përqendrimi i tregut në rënie

Megjithëse numri i bankave në dekadën e fundit ka ardhur në ulje, përqendrimi, i matur sipas metodave teorike të vlerësimit, është mbi pragun e konkurrueshmërisë dhe në përmirësim të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit.

Mënyra më e përdorur për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.

Llogaritjet e “Monitor”, të mbështetura në të dhënat e Shoqatës së Bankave, tregojnë se indeksi HHI pësoi rënie për të tretin vit radhazi, për totalin e aktiveve, për kreditë dhe për depozitat.

Kredia ngelet indikatori ku indeksi HHI është më i ulët dhe kjo teorikisht tregon një treg më konkurrues. Për vitin 2025, indeksi HHI për kredinë zbriti në 880, nga 1195 që kishte qenë një vit më parë.

Treguesi kryesor, ai i matur për madhësinë e aktiveve, vitin e kaluar zbriti në nivelin 1385, nga 1402 që kishte qenë një vit më parë.

Indeksi HHI vazhdon të jetë më i lartë për depozitat, por edhe në vitin 2024 ai pësoi ulje, në 1409, nga 1457 një vit më parë.

Cikli i shitblerjeve dhe hyrja e investitorëve të rinj në sektorin bankar, që u zhvillua kryesisht në periudhën 2015-2022, në vija të përgjithshme duket se ka dhënë efekte pozitive në drejtim të konkurrencës.

Bashkimet mes bankave ekzistuese kanë ulur numrin e përgjithshëm të tyre, por ato kanë krijuar banka më të mëdha dhe më konkurruese. Sidomos bankat që kanë dalë nga transaksione shitblerjeje kanë qenë ndër subjektet me rritjen më të lartë në treg në vitet e fundit.

Kreditë, pothuajse sa gjysma e depozitave

Mbështetur në raportimet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) në fund të vitit të kaluar, raporti mes kredive dhe depozitave shënoi për të dytin vit radhazi rritje të ndjeshme, në 49.1%, nga 46.7%, që kishte qenë një vit më parë.

Rritja e këtij raporti erdhi nga një rritje më e lartë e kredive krahasuar me depozitat bankare.

Raporti kredi-depozita vazhdon të shfaqë ndryshime shumë të mëdha mes bankave, megjithatë vitin e kaluar, ky raport shënoi rritje të konsiderueshme për 7 nga 11 banka aktive në treg.

Kjo konfirmon edhe një herë një qasje më të orientuar drejt huadhënies, krahasuar me alternativat e investimit me rrezik më të ulët (kryesisht investime në tituj borxhi).

Bankat e mëdha, që kanë pjesë të lartë tregu në depozita, përgjithësisht e kanë këtë raport më të ulët. BKT ka një raport mes kredive dhe depozitave në nivelin 27.8%, por megjithatë në rritje krahasuar me nivelin prej 23.9% të një viti më parë. Ndjek Intesa Sanpaolo me 35.6%, nga 32.9% që e kishte pasur këtë raport në vitin 2024.

Bankat e tjera e kanë këtë raport më të lartë se mesatarja e sistemit, duke filluar nga Raiffeisen, me 51.7% (nga 49% një vit më parë) dhe Credins me 50.2% (nga 48.5% një vit më parë).

Raportin më të lartë mes kredive dhe depozitave e ka ProCredit Bank Albania, me 85.6% (në rënie nga niveli prej 91.3% i vitit 2024), e ndjekur nga OTP Albania me 73.2% (në rritje nga raporti prej 70.6% i një viti më parë) dhe Union Bank, me 64% (edhe kjo rritje nga niveli prej 60.2% i vitit 2024).

Ndryshimet e mëdha të këtij treguesi mes bankave tregojnë sidomos një qasje të ndryshme ndaj rrezikut. Bankat që kanë pjesë më të madhe tregu në depozita arrijnë të sigurojnë kthime të kënaqshme duke i vendosur një pjesë të konsiderueshme të aseteve në instrumente financiare me rrezik më të ulët.

Bankat e tjera, që kanë një pjesë më të vogël në tregun e depozitave, në përgjithësi marrin përsipër më shumë rrezik kredie, për të arritur përfitueshmëri më të kënaqshme dhe për të mbështetur ambicien e tyre për t’u rritur.

Raporti mes kredive dhe depozitave është një tregues i rëndësishëm edhe lidhur me potencialet e bankave për të rritur më tej kreditimin. Për një bankë që e ka raportin mes kredive dhe depozitave në nivele të larta, rritja e mëtejshme e aktiveve bëhet e vështirë, pa arritur të zgjerojë bazën e depozitave ose të sigurojë burime alternative të financimit të aktivitetit ndërmjetësues.

Viti 2025 pritet të sjellë hyrjen në treg të dy bankave të reja, dega e Bankës Ziraat në Shqipëri dhe Banka Jet (Jet Bank).

“Monitor” iu drejtua këtyre dy subjekteve me kërkesën për një prononcim për të folur rreth objektivave dhe pritshmërive të tyre për hyrjen në treg, por pa marrë përgjigje prej tyre.

Dega e Bankës Ziraat e mori miratimin paraprak për licencim për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, në gusht 2025.

Banka Jet e mori miratimin paraprak në dhjetor 2025, ndërsa në muajin mars 2026 mori edhe licencën finale, pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në ligj. JET Bank ndodhet në fazën e testimeve dhe pritet të nisë aktivitetin së shpejti.

Sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, licencimi i bankës dhe i degës së bankës së huaj kalon në dy faza: miratimi paraprak i licencës dhe dhënia e licencës.

Ligji parashikon se, dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.

Gjatë kësaj periudhe, subjekti që ka marrë miratimin paraprak duhet të plotësojë kushtet kryesore për të mundësuar nisjen e aktivitetit të saj, duke filluar nga derdhja e kapitalit të kërkuar, punësimi i stafit të nevojshëm, krijimi i kushteve teknike dhe organizative për të kryer veprimtari bankare, duke përfshirë sigurimin e ambienteve ku do të ushtrohet veprimtaria, etj.

Ziraat Bank (në turqisht Banka Bujqësore) është bankë me kapital shtetëror dhe 100% e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë. Ziraat e ka origjinën që në shekullin e 19-të, në epokën e Perandorisë Osmane.

Ajo u themelua në vitin 1863, fillimisht si një fond kooperativ për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, me emrin që mban edhe sot, Ziraat.

Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, ku mban afërsisht 18% të tregut, me asete totale për një vlerë prej rreth 189 miliardë USD, në fund të vitit 2025. Në bilancin e konsoliduar, në nivel grupi (duke përfshirë edhe bankat dhe kompanitë e tjera të zotëruara prej saj brenda dhe jashtë Turqisë), Ziraat raporton asete totale për afërsisht 207 miliardë USD.

Përveç bankave dhe kompanive financiare në Turqi, Ziraat zotëron banka të kontrolluara prej saj në Gjermani, Rusi, Kazakistan, Uzbekistan, Gjeorgji, Azerbajxhan, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Banka turke është e pranishme me degët e saj (që nuk veprojnë si banka të ndara) dhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrejn, ndërsa ka zyra përfaqësie edhe në Emiratet e Bashkuar Arabe dhe në Egjipt.

Ndërkohë, JET Bank synon të bëhet banka e parë 100% digjitale në Shqipëri, që nënkupton ofrimin e plotë të shërbimeve dhe produkteve ekskluzivisht nëpërmjet kanaleve elektronike, pa degë fizike.

Kompania kontrollohet nga shoqëria holding e regjistruar në Holandë, Jet Holdings, ndërsa aksionarë indirektë janë një grup shoqërish tregtare të regjistruara në Qipro dhe Izrael.

Aksionar kryesor në Jet Holdings, me më shumë se 71% të aksioneve rezulton shoqëria qipriote Constador LTD. Aksionar i vetëm i shoqërisë është shtetasi britaniko-izraelit, Idan Avishai.

Aksionar tjetër me pjesëmarrje influencuese (që zotëron mbi 5% të aksioneve, sipas përcaktimeve të Bankës së Shqipërisë) është shtetasi izraelit Saniel Sanilevich, konsull nderi i Shqipërisë në Izrael. Sanilevich është aksionar i vetëm i shoqërisë Israel Albania Holdings, që zotëron rreth 12.4% të aksioneve në Jet Holdings.

Në muajin mars, JET Bank realizoi edhe derdhjen e kapitalit të nevojshëm për të nisur aktivitetin si bankë, për një shumë totale prej 1.06 miliardë lekësh.

Edhe NLB shpall zyrtarisht interesin për të hyrë në Shqipëri

Grupi bankar slloven, Nova Ljubljanska Banka (NLB), ka ambicie serioze për të hyrë në tregun financiar shqiptar. Blaž Brodnjak, kryetar i bordit menaxhues (CEO) i grupit bankar slloven, tha në një intervistë për “Monitor”, në fillim të këtij viti, se hyrja në tregun shqiptar do të plotësonte praninë rajonale të NLB-së dhe do të forconte rrjetin e integruar financiar të bankës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo ndërlidhje mund të mbështeste më tej flukset ndërkufitare të kapitalit dhe ta poziciononte grupin NLB si një lidhje kyçe midis tregjeve rajonale, duke vepruar gjithashtu si një nga qendrat kryesore për investitorët ndërkombëtarë në rajon dhe investitorët vendas në botë.

Ai shprehet se NLB vepron sipas një modeli bankar universal, me një gamë të zgjeruar shërbimesh, nga bankat me pakicë dhe korporata deri te zgjidhjet e investimeve, sigurimeve dhe këshillimit.

Kjo do të thotë se fokusi i NLB shtrihet edhe përtej sektorit bankar dhe është i hapur për të eksploruar mundësi në fusha të tjera të sektorit financiar, duke përfshirë sigurimet apo menaxhimin e aseteve.

Kapaciteti i NLB për të blerë institucione financiare vlerësohet deri në 4 miliardë euro vlerë asetesh të ponderuara me risk.

“Ambicia jonë është të kemi operacione bankare në të gjitha tregjet e Ballkanit Perëndimor.

Për momentin, dy vende mbeten jashtë gjurmës sonë bankare: Kroacia, ku ne operojmë vetëm përmes shërbimeve të qirasë financiare (lizingut), dhe Shqipëria, ku nuk jemi ende të pranishëm. Grupi NLB ka një prani të gjerë në Kosovë, e dyta më të madhe në përgjithësi, dhe në Maqedoninë e Veriut, me pozicionin kryesor edhe në kreditë për familjet.

Gjithashtu, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi ne kemi qenë ndër huadhënësit kryesorë, kështu që mund të themi me besim se kemi qenë një specialist rajonal. Në tregjet tona ekzistuese kemi përvojë shumë të mirë me popullsinë shqiptare, është logjike të fillojmë të mendojmë nëse dhe si Grupi NLB mund t’i sjellë shërbimet e tij edhe në tregun e vetëm rajonal që mungon.

Hyrja në tregun shqiptar do të plotësonte praninë rajonale të NLB-së dhe do të forconte rrjetin tonë të integruar financiar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kjo ndërlidhje mund të mbështeste më tej flukset ndërkufitare të kapitalit dhe ta poziciononte Grupin NLB si një lidhje kyçe midis tregjeve rajonale, duke vepruar gjithashtu si një nga qendrat kryesore për investitorët ndërkombëtarë në rajon dhe investitorët vendas në botë”, tha z. Brodnjak në intervistën për “Monitor”.

NLB është grupi më i madh bankar dhe financiar në Slloveni dhe njëkohësisht një nga grupet më të rëndësishëm financiarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të vitit 2024, NLB raportonte aktive totale në vlerën e 28 miliardë eurove, nga të cilat pothuajse 17 miliardë euro ishin kredi. Grupi zotëronte depozita totale për më shumë se 22 miliardë euro. Për vitin 2024, grupi NLB raportoi fitim neto në vlerën e afërsisht 515 milionë eurove.

Përveç Sllovenisë, NLB është e pranishme me filialet e saj edhe në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Kroaci. Përveç bankave, grupi NLB zotëron në disa prej tregjeve të mësipërme edhe institucione të qirasë financiare (lizingut), administrimit të aseteve financiare, shërbimeve të pagesave, ndërmjetësimit në pasuri të paluajtshme, etj.

Në tregun bankar, përgjithësisht bankat e grupit NLB zotërojnë pjesë të lartë në vendet përkatëse dhe janë aktorë me rëndësi sistemike në to.

Bankat e grupit NLB zotërojnë afërsisht 33% të tregut bankar në Slloveni, 10% në Serbi, rreth 18% në Kosovë, 16% në Maqedoninë e Veriut, 14% në Mal të Zi dhe 6% në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Duke pasur parasysh madhësinë e grupit dhe pozicionimin në tregjet e tjera të rajonit, është e arsyeshme të mendohet se NLB do të ishte e interesuar për të hyrë në sektorin bankar shqiptar, duke blerë një bankë që zotëron tashmë një pjesë të konsiderueshme tregu.

Këtë vit pritet edhe Banka e Zhvillimit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi vitin e kaluar ligjin “Për bankën shqiptare të zhvillimit”, që rregullon krijimin, për herë të parë, të një institucioni të këtij lloji në Shqipëri.

Banka Shqiptare e Zhvillimit është regjistruar zyrtarisht në regjistrin tregtar në dhjetor të vitit 2025, ndërsa pritet që të nisë aktivitetin këtë vit.

Për momentin, aksionar i vetëm është qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe administrator është emëruar Silvio Pedrazzi, ish-drejtor i përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri.

Në fund të muajit mars, qeveria shqiptare realizoi edhe derdhjen e këstit të parë të kapitalit aksionar të shoqërisë, në shumën e 1 miliard lekëve.

Sipas ligjit, veç financimit të projekteve zhvillimore, Banka e Zhvillimit mund të kryejë edhe veprimtari me objektiva tregtarë, bazuar në kushte tregu dhe parimet e konkurrencës së lirë, duke synuar kthime të krahasueshme me ato të tregut, me kusht që kjo veprimtari të jetë plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare.

Ligji parashikon që në realizimin e objektivave të saj, Banka e Zhvillimit duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e ndarjes së qartë të aktiviteteve promovuese dhe tregtare, duke shmangur çdo formë subvencionimi të ndërsjellë mes këtyre aktiviteteve dhe mbajtjen e regjistrave dhe sistemeve financiare dhe të raportimit qartësisht të ndara për aktivitetet promovuese dhe tregtare.

Për arritjen e objektivave të saj, ligji e autorizon Bankën e Zhvillimit të japë kredi dhe të angazhohet në investime financiare; të vendosë dhe të pranojë vendosje afatshkurtra dhe afatgjata nga dhe në bankat tregtare apo institucionet e tjera financiare; të lëshojë garanci dhe instrumente të tjera sigurie; të investojë në tituj; të kryejë aktivitete dhe shërbime të tjera financiare të nevojshme për arritjen e objektivave të saj.

Banka e Zhvillimit mund të angazhohet drejtpërdrejt ose përmes shoqërive të lidhura me të, në çdo aktivitet ndihmës, përfshirë financimin e kapitalit privat, mbajtjen e aksioneve në shoqëri, si brenda Republikës së Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj, që mbështet aktivitetet kryesore të saj.

Pjesëmarrja e Shtetit Shqiptar nuk do të jetë më e vogël se 51% e kapitalit të regjistruar të aksioneve në çdo kohë.

Banka e Zhvillimit do të mund të mbledhë kursime kryesisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar. Shuma e pranuar e këtyre fondeve nga Banka Shqiptare e Zhvillimit nuk duhet të jetë më e lartë se 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ligji parashikon se aktiviteti i Bankës së Zhvillimit do të financohet me pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare.

Llojet e produkteve, karakteristikat e tyre, përfshirë kufizimet në vlerë, do të përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për Financat dhe të ministrit përgjegjës për Ekonominë, duke respektuar kufijtë monetarë të përcaktuar në ligjin që rregullon sigurimin e depozitave. Kjo nënkupton se shuma e garantuar do të jetë e kufizuar.

Sipas kuadrit ligjor në fuqi, depozitat bankare sigurohen deri në shumën e 2.5 milionë lekëve, ndërsa ato të shoqërive të kursim-kreditit, deri në 2 milionë lekë.

Subjekti ndërmjetës për mbledhjen e fondeve të kthyeshme nga publiku do të jetë një entitet i veçantë i Postës Shqiptare. Këshilli i Ministrave do të përcaktojë me vendim kushtet kryesore të marrëdhënies ndërmjet entitetit të veçantë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Entiteti i veçantë i Postës Shqiptare dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila rregullon aspektet kryesore të funksionimit e të administrimit të fondeve të mbledhura dhe shpërndarjes së produkteve, minimalisht procedurat operacionale për shpërndarjen dhe administrimin e produkteve financiare; interesat e zbatueshëm për produktet financiare të ofruara; detyrimin për informimin e transparencën ndaj publikut mbi produktet.

Ligji parashikon gjithashtu si burime financimi linjat e kredisë nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe përdorimin e instrumenteve të tjera financiare të garantuara, rast pas rasti, me garanci shtetërore, duke respektuar parimet e përcaktuara në ligjin që rregullon

huamarrjen shtetërore. Emetimi i titujve të garantuar me garanci shtetërore nuk do t’u nënshtrohet parashikimeve të ligjit që rregullon tregjet e kapitalit.

Aktiviteti i mbledhjes së produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare do të mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, ky entitet nuk do të jetë subjekt licencimi.

Ligji gjithashtu përcakton se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të raportojë te Banka e Shqipërisë për qëllime statistikore dhe për regjistrin e kredive. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë, gjithashtu, metodologjinë e mbikëqyrjes së aktivitetit të mbledhjes së produkteve të kursimit, si dhe të raportimit statistikor. Monitor.al 

Poll