
Sot u hap zyrtarisht gara ndërkombëtare për rehabilitimin dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Han i Hotit. Zv-kryeministrja Belinda Balluku dha detajet për këtë linjë hekurudhore duke theksuar se për ndërtimin e saj do të ketë një fond prej 370 mln eurosh të dhëna 50% në formë granti nga BE dhe 50 nga BERZH.
“Sot shpallim garën ndërkombëtare për ndërtmin e hekurudhës Vorë-Han i Hotit, 120 kilometra me shpejtësi 120 kilometra në orë me 12 stacione, 12 ura dhe 1 tunel 320 metra në zonën e Lezhës. Totali i investimit është 370 milionë euro të ofruara 50% në formë granti nga BE dhe 50% nga BERZH. Gara ndërkombëtare është e hapur dhe jemi të sigurt që shumë kompani europiane do jenë garuese siç ka ndodhur edhe më parë”- deklaroi Balluku.
Sa i takon përfitimeve, numri dy i qeverisë tha se kjo linjë hekurudhore pritet që të ketë një fluks të lartë pasagjerësh gjithashtu edhe një numër të konsiderueshëm të personave të punësuar.
“Do ketë fluks vjetor të 2.3 mln pasagjerë në vit ose 900 mijë ton ngarkesa mallrash në vit. Vënia në funksion e kësaj linje pritet të japë një impakt të madh ekonomik pasi që në fazën e ndërtimit parashikohet të punësohen 1 mijë persona. Ndërsa në fazën e operimit parashikohet që numri i personave të punësuar të jetë 100 persona vetëm në këtë linjë”- shtoi zv-kryeministrja. Versus.al
