
Tarifat tregtare në Shtetet e Bashkuara po ndikojnë seriozisht në performancën financiare të kompanisë gjermane Porsche, deri në pikën që po konsiderohet madje edhe ndërtimi i një fabrike në tregun amerikan.
Viti 2025 rezultoi shumë i vështirë për Porsche. Fitimet e përgjithshme të kompanisë ranë ndjeshëm, duke u kufizuar në vetëm 413 milionë euro (rreth 478 milionë dollarë).
Një pjesë e madhe e kësaj rënie lidhet direkt me tarifat që qeveria e Donald Trump vendosi për importet e automjeteve. Sipas të dhënave të kompanisë, paguam rreth 700 milionë euro vetëm për tarifat në SHBA, ose afërsisht 810 milionë dollarë.

Kjo shifër përbën një ngarkesë të madhe për Porsche dhe ka ndryshuar ndjeshëm peizazhin e biznesit në tregun amerikan. CEO i kompanisë, Michael Leiters, deklaroi se “kushtet e tregut në Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar ndjeshëm për shkak të politikës së tarifave”.
Përveç presionit mbi financat, tarifat kanë ndikuar edhe tek çmimet e modeleve Porsche në SHBA. Për shembull, modeli ikonë 911 ka një çmim fillestar prej 135,500 dollarë, krahasuar me 114,400 dollarë në mars 2024, një rritje prej 21,100 dollarësh në më pak se dy vjet.

Megjithatë, Porsche raporton se kërkesa mbetet e fortë. Leiters theksoi se kompania po sheh një treg të qëndrueshëm në SHBA, që tregon se klientët mbeten besnikë ndaj markës pavarësisht rritjes së çmimeve.
Për të reduktuar ndikimin e tarifave, Porsche po shqyrton opsione të ndryshme. Gjatë një diskutimi me investitorët u diskutua mundësia e krijimit të një një fabrike montimi në SHBA, e ngjashme me atë që kompania ka në Kulim, Malajzia. Gjithashtu, po konsiderohet edhe bashkëpunimi me kompaninë mëmë Volkswagen, e cila ka tashmë objekte prodhimi në SHBA.
Leiters e përshkroi idenë si “tërheqëse”, por paralajmëroi se një investim i tillë do të kërkonte kohë të gjatë dhe një riorganizim të madh, duke përfshirë krijimin e një zinxhiri të ri furnizimesh, transporti dhe logjistike. Për momentin, kjo nuk është një plan i menjëhershëm.

Porsche po planifikon gjithashtu ndryshime në gamën e modeleve gjatë vitit 2026, duke prezantuar versione të reja që do të rrisin interesin e klientëve, por edhe duke thjeshtuar kompleksitetin e ofertës së saj, pasi numri i madh i varianteve ka rritur ndjeshëm vështirësitë për klientët dhe për operacionet e brendshme.
Sipas informacioneve të mëparshme, në të ardhmen mund të ndodhë që modelet Panamera dhe Taycan të bashkohen në një model të vetëm.
Në çdo rast, tarifat tashmë kanë ndryshuar rregullat e lojës për Porsche në SHBA, duke detyruar kompaninë gjermane të rishikojë strategjitë themelore të prodhimit dhe prezencës së saj në tregun amerikan.
Ngec sërish e-Albania, bizneset detyrohen të bëjnë “rojë nate”
Ulet çmimi i naftës në pikat e pakicës në Tiranë

