Kredia konsumatore u rrit me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë 2025 sektori bankar disbursoi rreth 13.3 miliardë lekë kredia të reja konsumatore.
Vlera e kredisë konsumatore u rrit me 27.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia konsumatore ka prekur njëkohësisht vlerën më të larta historike për këtë periudhë të vitit.
Huadhënia konsumatore është gjithnjë e më e përqendruar në monedhën vendase. Më shumë se 90% e kredisë së re konsumatore të dhënë gjatë këtij viti ka qenë në Lekë.
Në fund të tremujorit 2025, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 92.3 miliardë lekëve, në rritje me 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kredisë konsumatore është e shpërndarë në të gjitha segmentet e saj kryesore. Kredia për mallrat e qëndrueshëm është rritur me 18.5%, kredia për mallra jo të qëndrueshëm me 14.6%, ndërsa overdraftet e përdorura nga individët me 8.4%.
Mallrat e qëndrueshëm në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet. Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.
Ndërkohë, kredia për mallra jo të qëndrueshëm klasifikohet ajo që lidhet me qëllime të tjera, që zakonisht i referohen shpenzimeve për shërbime apo mallra të konsumit afatshkurtër.
Të dhënat e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues treguan se kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2025, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit. Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit solli kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë.
Nga ana tjetër, edhe oferta për kredi e sektorit bankar ngelet e bollshme, e nxitur nga performanca e mirë e sektorit dhe konkurrenca e lartë në tregun e kredisë për individë.
Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij.
Për këtë arsye, ecuria e kredisë konsumatore është një tregues i tërthortë i ecurisë pozitive të konsumit privat në ekonomi.
Të dhënat me bazë tremujore të raportuara nga INSTAT treguan se konsumi final i popullatës u rrit me mesatarisht 3.5% gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, në vlerësimet për konsumin duhet mbajtur në konsideratë edhe një shkallë e caktuar e informalitetit, që reflektohet veçanërisht në këtë komponent të shpenzimeve./ Marrë nga Monitor




Kredia për shtëpi u rrit me 23% për tremujorin e parë të vitit


Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

