EKONOMI & MJEDIS /

Kriza e karburanteve / Ja sa subvencion për transportin publik do të japë Bashkia e Tiranës për naftën

50 lekë për litër për tre muaj, skema synon të mbajë nën kontroll çmimet për qytetarët dhe të lehtësojë operatorët

Shkruar nga Versus

Kriza e karburanteve / Ja sa subvencion për transportin publik do të

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka dhënë miratimin për një projektvendim që parashikon kompensimin financiar të shoqërive të transportit publik, si pjesë e paketës së masave për përballimin e rritjes së çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Vendimi vjen pas një kërkese zyrtare nga ministria përgjegjëse dhe propozimit të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, me qëllim mbështetjen e një sektori që është goditur drejtpërdrejt nga kriza e energjisë dhe rritja e kostove operative.

Sipas projektit të miratuar, operatorët e linjave urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse do të përfitojnë një kompensim prej 50 lekë për litër karburanti për periudhën mars–maj 2026. Përllogaritja do të bëhet mbi bazën e konsumit real gjatë kësaj periudhe, por nuk do të tejkalojë nivelin e konsumit të së njëjtës periudhë në vitin 2025 për secilin subjekt.

Në relacion theksohet se rritja e çmimeve të naftës dhe gazit ka arritur nivele të larta, duke ushtruar presion të fortë mbi sektorin e transportit, i cili përbën rreth 98% të volumit të përgjithshëm të transportit në vend. Si pasojë, janë rritur ndjeshëm kostot për operatorët dhe rrezikohej reflektimi i tyre në çmimet për qytetarët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria ka një rrjet rrugor prej rreth 18 mijë kilometrash, me 439 linja ndërqytetëse të operuara nga 242 subjekte të licencuara. Çdo muaj, autobusët përshkojnë rreth 9 milionë kilometra, ndërsa fluksi i udhëtarëve arrin në afro 50 milionë në vit.

Në këtë kontekst, ndërhyrja përmes skemës së kompensimit synon të amortizojë kostot për operatorët dhe të shmangë rritje të mëtejshme të tarifave për qytetarët.

Efekti financiar i vendimit parashikohet të arrijë në rreth 250 milionë lekë, që do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, si dhe nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për linjat urbane.

Projektvendimi përcakton gjithashtu kriteret dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin subjektet përfituese. Aplikimet për kompensim do të pranohen deri më 1 gusht 2026, ndërsa verifikimi i tyre do të kryhet nga administrata tatimore.

 

 

Poll