EKONOMI & MJEDIS /

Ndërtimet ‘shpërthejnë’ në Tiranë: Vlera e lejeve arrin 1.8 miliardë euro

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, që aplikohet me një normë prej 8% mbi çmimet e referencës për ndërtimet e reja, rezulton të jetë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për Bashkinë e Tiranës, duke zënë 54% të totalit të të ardhurave tatimore dhe jotatimore të realizuara për vitin 2024

Shkruar nga Versus

 

Ndërtimet ‘shpërthejnë’ në Tiranë: Vlera e

Bashkia e Tiranës ka regjistruar një rekord historik në arkëtimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2024, duke grumbulluar plot 14.3 miliardë lekë, ose rreth 147 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare, kjo shumë përfaqëson një tejkalim prej 226% ndaj planit fillestar të parashikuar prej 6.3 miliardë lekësh.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, që aplikohet me një normë prej 8% mbi çmimet e referencës për ndërtimet e reja, rezulton të jetë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për Bashkinë e Tiranës, duke zënë 54% të totalit të të ardhurave tatimore dhe jotatimore të realizuara për vitin 2024. Ky është niveli më i lartë i arkëtuar ndonjëherë nga kjo taksë që kur ka nisur të aplikohet.

Pse ka ardhur rritja?

Sipas dokumentit shoqërues të raportit buxhetor, rritja e fortë e arkëtimeve lidhet me dy faktorë kryesorë:

Shtimi i lejeve të ndërtimit, ku për vitin 2024 u dhanë leje për një sipërfaqe rekord prej mbi 1.9 milionë metra katrorë, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2005.
Rritja e çmimeve të referencës për metër katror, e cila hyri në fuqi nga gushti i vitit 2023 dhe u reflektua në përllogaritjen e kësaj takse. Çmimet e referencës janë rritur me 5 deri në 76% në 32 zona kadastrale të kryeqytetit.

Bazuar në nivelin e taksës prej 8%, totali i lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë gjatë vitit 2024 përfaqëson një vlerë ndërtimi prej rreth 179 miliardë lekësh, ose afro 1.8 miliardë euro.

Reagimi i ndërtuesve dhe vendimi i Kushtetueses

Rritja e ndjeshme e barrës fiskale për ndërtuesit është shoqëruar me kundërshtime nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila në shtator 2024 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e pjesëve të vendimit të qeverisë që rrisin çmimet e referencës. Sipas ndërtuesve, kjo vendimmarrje rrit koston e ndërtimit me 80%, duke rrezikuar që çmimet e apartamenteve të rriten me 200 deri në 300 euro për metër katror.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën, duke e cilësuar të pabazuar dhe duke mbështetur qëndrimin e qeverisë dhe të pushtetit vendor.

Të ardhurat në rritje dhe planet për të ardhmen

Bashkia e Tiranës ka theksuar se për vitin 2024, çdo katërmujor ka sjellë mesatarisht rreth 49 milionë euro nga kjo taksë. Kjo rritje e të ardhurave e ka tejkaluar dukshëm edhe parashikimet për vitet 2025 dhe 2026, ku janë planifikuar arkëtime vjetore nga 6.5 miliardë lekë.

Në total, të ardhurat tatimore dhe jotatimore për 2024-n kanë arritur në 26.6 miliardë lekë, me një realizim 146% më shumë se plani fillestar, çka dëshmon për një performancë buxhetore jashtëzakonisht të fortë të bashkisë.

Përballja me sfidat e zhvillimit urban

Ndërsa financat publike të bashkisë po përfitojnë nga bum-i i ndërtimit, sfidat për zhvillimin e qëndrueshëm urban, përballueshmërinë e çmimeve të banesave dhe mbrojtjen e hapësirave publike mbeten thelbësore për agjendën e ardhshme të qytetit. /Versus.al

Poll