Nga Blerina Moka

Është fund qershori. Dielli djeg si saç edhe pse në Malësinë e Madhe era fryn, por freskun e ndjen vetëm kur je në hije.
E megjithatë, ferma e Ervin Çerajt në Koplik e nis punën që me lindjen e diellit e deri në mbrëmje vonë.
Ervini është një ish-emigrant i kthyer 5 vite më parë, ku menjëherë sa erdhi në vendlindje vendosi të vërë në jetë planin e biznesit të ëndërruar, kultivimin e lavandës dhe sherebelës.

Me investimet e tij por dhe mbështetjen nga donatorët, “Happy Farmers” është sot një markë që njihet ndërkombëtarisht, falë cilësisë së produkteve.
Ervini thotë se prej 4 vitesh ka kontrata të vazhdueshme me firma gjermane të cilat kanë vendosur një raport bashkëpunimi direkt me fermën, duke e vizituar shpesh Koplikun dhe plantacionet.
“Ekspertë gjermanë vijnë këtu bëjnë analiza, kanë akses gjurmueshmërie. Produktet tona shiten në tregun gjerman, por për të ardhur deri këtu, janë kaluar disa teste cilësie dhe sigurie në lidhje me komponentët kimikë të sherebelës dhe vajrave esencialë të lavandës të cilat duhen të pakontaminuar.
Ata kanë marrëdhënie me ne direkt dhe vijnë këtu na vizitojnë në plantacionet, bëjnë analiza dhe kanë akses të gjurmueshmërisë”, thotë fermeri.
Ditët e para të korrikut shënojnë dhe fundin e korrjes së lavandës.

“E kemi organizuar punën në mënyrë të tillë që puna të nisë shumë herët pasi me rritjen e temperaturave, puna bëhet më e vështirë. Koha e korrjes pothuajse po mbaron dhe më pas nis procesi i tharjes së lavandës.
Puna jonë në fermë zgjat pothuaj gjithë vitin, pasi me përfundimin e korrjes së produktit, bëhet gati toka për mbjelljen e plantacioneve të reja.
“Pastrimi i barit, pastrimi i lules së sherebelës, etj, kërkon kohë dhe procesi vazhdon 12 muaj”, thotë Ervini.

Fermeri është një nga 55 përfituesit e Challenge Fund, një komponent kyç i EU4Innovation, një program i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), dhe zbatuar nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Tiranë.
Me fondet e “Challenge fund”, të menaxhuara nga Ambasada Suedeze, në bashkëpunim me Partnerët Shqipërië për Ndryshim dhe Zhvillim, ai ka përfituar furrën për tharjen e produkteve në periudhën e dimrit, duke ulur koston dhe rritur cilësinë e produktit.
“Happy Farmers” ishte një nga tre startup-et e mbështetura nga Challenge Fund, me të cilët Erik Illes, Shef i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Shqipëri, dhe Jenni Lundmark, Menaxhere Programi për Zhvillimin e Sektorit Privat dhe Barazinë Gjinore në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri bashkë me përfaqësues të medias kishin mundësinë të njiheshin nga afër.
Gjatë vizitës, Z. Illes tha se programi ka prodhuar histori konkrete suksesi, siç është “Panja”, furra e parë në Shqipëri që ofron produkte 100 % pa gluten dhe pa laktozë, Themeluesja e saj, Marsela Gurra tregoi për “Versus Albania” se ideja lindi pasi përfitoi vetë nga ana shëndetësore nga një regjim ushqimor pa gluten dhe pa laktozë.

Biznesi synon të promovojë një stil jetese më të shëndetshëm, të adresojë nevojat e personave me kufizime ushqimore dhe të rrisë ndërgjegjësimin në Shqipëri mbi përfitimet e dietave pa gluten dhe pa laktozë.

Një tjetër sipërmarrës që po transformon ekonominë lokale përmes inovacionit, qëndrueshmërisë dhe përgjegjshmërisë sociale është “Artizani Bakery”, furra e parë në vend që ofron një proces tërësisht organik të prodhimit të bukës me brumë natyral, nga kultivimi i drithërave deri tek bluarja me mulli guri dhe fermentimi natyral.

“Artizani” po vendos standarde të reja për cilësinë, qëndrueshmërinë dhe prodhimin e përgjegjshëm ushqimor. Falë mbështetjes së EU4Innovation, furra ka investuar në pajisje të reja, duke forcuar më tej qasjen e saj inovative ndaj prodhimit të bukës dhe duke treguar se tradita dhe inovacioni mund të ecin së bashku.

