
Si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka miratuar një akt normativ për uljen me 20% të akcizës për karburantet.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se masa do të hyjë në fuqi në rastet kur çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, kalon mbi 220 lekë për litër për naftën dhe mbi 200 lekë për litër për benzinën.
Sipas tij, ky vendim vjen si reagim ndaj rritjes së menjëhershme të çmimeve në 48 orët e fundit, të ndikuara nga tensionet ndërkombëtare, veçanërisht konflikti në Iran.
Malaj theksoi se kjo masë është në përputhje me angazhimin e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama për të zbutur efektet financiare mbi qytetarët dhe ekonominë.
Akti normativ do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa autoritetet shprehen të vendosura për të ndërmarrë masa të tjera nëse do të jetë e nevojshme për të mbrojtur buxhetin dhe mirëqenien e qytetarëve./Versus.al

