EKONOMI & MJEDIS /

Riformatim pagash dhe rekrutime nga jashtë, propozohen ndryshime në ligjin për nëpunësin civil

Shkruar nga Versus

Riformatim pagash dhe rekrutime nga jashtë, propozohen ndryshime në

Këshilli i Ministrave ka njoftuar se Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni  ka publikuar për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.152/2013, “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.

Si  pjesë e propozimeve për ndryshim në ligjin aktual është përmirësimi i modelit të Shërbimit Civil në Shqipëri, duke rritur efikasitetin e procesit të pranimit dhe procedurave menaxheriale për shërbimin civil, me qëllim krijimin e kushteve për tërheqjen e sa më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë Shërbimit  Civil. Propozohet për më shumë transparencë, fleksibilitet dhe siguri të shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë.

Sipas ndryshimeve të propozuara do të rritet kufiri për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti. Do të ketë një strukturë të riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin e punonjësve.

Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave ndryshimet ligjore synojnë krijimin e një administratë profesionale dhe e mbështetur në merita qëndron në bazën e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe forcimi i saj synohet të arrihet edhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore të propozuara.


Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Programit “BE për Mirëqeverisjen” dhe ekspertët e OECD/SIGMA, në bashkëpunim me ministritë, institucionet e pavarura dhe prej datës 31 tetor 2025 do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjitha grupet e interesit.

Ndërhyrjet kryesore në legjislacion adresojnë dhe zgjidhin një sërë aspektesh të forcimit të funksionimit të shërbimit civil në praktikë si më poshtë:

1. Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike:

- Rekrutimi me bazë merite shtrihet në të gjitha institucionet publike që janë ose jo pjesë e shërbimit civil.
- Procesi administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.

2. Model i ri i përmirësuar për pranimin në nivelin hyrës zhvillohet me dy faza:

- Testim kombëtar i uniformizuar, i zhvilluar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar;
- Konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.

3. Ristrukturim i modelit të rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues

- Transparencë, fleksibilitet dhe siguri e shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë;
- Shpallje e pozicioneve individualisht për çdo vakancë;
- Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme;
- Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.

4. Sistem më i hapur dhe më fleksibël karriere për më shumë ekspertizë të re dhe më të madh profesional

- Qarkullim më i madh midis profesionistëve mes sektorit publik dhe atij privat;
- Rritje e kufirit për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti;
- Mundësi e shtuar për rikthimin në shërbimin civil pas eksperiencave jashtë tij.

5. Strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin:

- Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës;
- Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish;
- Sistem i ri vlerësimi performance me 5 nivele nga 4 nivele që parashikohet aktualisht./ Monitor.al

Poll