EKONOMI & MJEDIS /

Rritet akciza, shtrenjtohet çmimi i cigareve

Shkruar nga Versus

Rritet akciza, shtrenjtohet çmimi i cigareve

Pas shtrenjtimit ‘jashtë radhe’ në dhjetor, çmimet e paketave të cigareve në vend do të rriten sërish. Kjo për shkak të akcizës së duhanit, një lloj takse që rritet çdo vit. Nga 7 mijë e 250 lekë për çdo 1 mijë fije cigare që ishte, çmimi rritet në 7 mijë e 500 lekë.

‘Risi është që për herë të parë, këtë vit, hyjnë në akcizë edhe produktet alternative të duhanit. Cigaret elektronike dhe ato me djegie’, u shpreh eksperti i kontrollit të cilësisë së duhanit, Roland Shuperka.

Qeveria synon që nëpërmjet rritjes së çmimit të cigareve të ulë konsumin, duke mbrojtur shëndetin. Po a do të bëjnë çmimet më të shtrenjta që shqiptarët të tymosin më pak?

‘Nuk ka asnjë ndikim. Të dhënat në vite kanë treguar se me gjithë shtrenjtimin e duhanit, konsumi nuk është ulur. Përkundrazi’, theksoi Shuperka.

Nga rritja e akcizës, Ministria e Financave pret që në buxhetin për vitin e ardhshëm të grumbullohen 850 milionë lekë. Ndërkohë, për ekspertët e tregut, qeveria duhet të rrisë kontrollin ndaj tregimit informal të duhanit.

‘Dhe kjo është detyruese sepse do të rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit me 80 deri në 100 milionë euro çdo vit’, deklaroi Shuperka.

Deri në fundin e nëntorit të vitit të shkuar, në vend hynë 2 mijë e 665 tonë duhan, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë./A2

Poll