
Personat me sklerozë multiple tani kanë një vend të dedikuar ku mund të marrin kujdes dhe mbështetje, një qendër të re rehabilitimi fizik në Tiranë, të mundësuar falë mbështetjes së Fondacionit Mane.
Në këtë qendër, pacientët përfitojnë terapi fizike të kombinuar, manuale dhe me pajisje moderne, që ndihmojnë në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Terapia për pacientët ofrohet sipas rekomandimit mjekësor për secilin dhe, falë kontributit të Fondacionit Mane, ky trajtim do të jetë falas.
Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa një bashkëpunim të ngushtë dhe të koordinuar mes institucioneve.

Fondacioni Mane, duke vënë në qendër përkushtimin për personat me aftësi të kufizuara, ka dhënë mbështetjen për funksionin në vazhdimësi të shërbimeve të ofruara, ndërsa Ambasada Gjermane në Shqipëri, përmes Sektorit të Bashkëpunimit për Zhvillim, ka siguruar pajisjet mjekësore që bëjnë të mundur funksionimin e qendrës.
Qendra është projektuar me kujdes nga Fondacioni “Pema e Jetës”, që është aktiv në përpjekjet e përditshme të këtij grupi shoqëror për edukim mjekësor dhe mundësi integrimi.
Në ditën e hapjes, qendra u vizitua nga Samir Mane, themeluesi i Fondacionit Mane, i shoqëruar nga përfaqësues të Fondacionit “Pema e Jetës” dhe të Ambasadës Gjermane.

Hapja e qendrës shënon një tjetër hap në misionin e Fondacionit Mane për të krijuar mundësi më të barabarta dhe për të përmirësuar jetën e personave me aftësi të kufizuara.
Skleroza multiple është një sëmundje kronike që prek trurin dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar vështirësi në lëvizje, balancë, koordinim dhe ndonjëherë edhe funksione njohëse.
Shumë pacientë përjetojnë lodhje, ngurtësim të muskujve, dobësi, dhimbje apo mpirje të gjymtyrëve, si dhe ndryshime në disponim. Sëmundja zakonisht shfaqet në moshën 20-40 vjeç, dhe në Shqipëri jetojnë mbi 1.000 persona me këtë gjendje, me rreth 400 të identifikuar vetëm në Tiranë.

Qendra e Rehabilitimit Fizik për Personat me Sklerozë Multiple është prova se përmes bashkëpunimit të përkushtuar mund të krijohen mundësi reale për ata që kanë më shumë nevojë.

