
Brenda sektorit financiar, zyrat e këmbimit valutor janë perceptuar si një lloj hallke e dobët, në parandalimin e pastrimit të parave dhe në qarkullimin e fondeve nga burime joformale. Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektrregullore të re, që synon të forcojë kriteret e licencimit dhe të mbikëqyrjes së tyre. Ndryshimet vendosin kërkesa për reputacion të mirë ndaj zotëruesve të këtyre zyrave, kufizojnë veprimet në para fizike dhe shtojnë kërkesat për kapital për licencimin e tyre. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë nuk e përjashton mundësinë e kufizimit të numrit të licencave, bazuar në analiza të tregut.
Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, që forcojnë kriteret e licencimit dhe të mbikëqyrjes së këtyre institucioneve financiare. Ndryshimet kanë kryesisht qëllim të shtrëngojnë kriteret që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.
Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se ndryshimet në rregullat e licencimit dhe mbikëqyrjes së zyrave të këmbimit valutor synojnë të forcojnë kërkesat për licencimin dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor, kryesisht në lidhje me reputacionin e mirë dhe integritetin e zotëruesve të kapitalit, përfshirë edhe pronarët përfitues, në kuadër edhe të parandalimit tё pastrimit tё parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet ndërkombëtare në përgjithësi, duke synuar dhe plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL në raundin e mëparshëm të vlerësimit të Shqipërisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, qëllimi i këtyre ndryshimeve lidhet me nevojën e forcimit të rregullave të hyrjes në treg të subjekteve që janë financiarisht të qëndrueshëm dhe me integritet, si dhe me aspektet e parandalimit tё pastrimit tё parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshimet e propozuara konsistojnë në përmirësimin e procesit të licencimit dhe të mbikëqyrjes, nëpërmjet përfshirjes së informacionit dhe dokumentacionit përkatës lidhur me burimin dhe evidencën e krijimit të kapitalit të subjektit dhe çdo shtesë të mëvonshme të tij, zgjerimin e disa kërkesave rregullatore edhe për pronarët përfitues, parashikimin e konceptit të “reputacionit të mirë” për aksionerët/ortakët/pronarët përfitues dhe administratorët e subjektit, rritjen lehtësisht të komisioneve të parashikuara për t’u paguar nga subjekti për të ushtruar veprimtarinë e këmbimit valutor, vendosjen e disa limiteve për vlerat monetare në para fizike (cash) që mund të mbahen nga subjekti në arkë mbi baza ditore, si dhe në lidhje me vlerën maksimale të transaksioneve në para fizike (cash), të kryer në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin, etj.
Kërkohet “reputacion i mirë”
Përveç kërkesave të rregullores ekzistuese, projektrregullorja e re parashikon që në shqyrtimin e kërkesës për licencim të zyrës së këmbimit valutor, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionerit, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit gjatë momentit të licencimit, si dhe sa herë që ka ndryshime në përbërjen e strukturës së pronësisë dhe organeve drejtuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë.
Për qëllime të rregullores, “reputacion i mirë” i referohet reputacionit të aksionerit, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit, i cili duhet të jetë i karakterizuar nga etika profesionale dhe integriteti financiar, si dhe përputhshmëria me kuadrin ligjor e rregullator.
Një aksioner, pronar përfitues apo administrator do të konsiderohet të ketë reputacion të mirë, nëse respekton kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit; nuk ka rekorde kriminale të lidhura me krime financiare, aktivitete të paligjshme ose shkelje të rënda ligjore; ka qëndrueshmëri financiare dhe nuk është i përfshirë në çështje financiare ose ligjore të rëndësishme që mund të dëmtojnë reputacionin ose besueshmërinë dhe nuk është subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullator të zbatueshëm.
Subjektit gjithashtu do t’i kërkohet vërtetim nga Ministria e Drejtësisë që të provojë se aksionerët, pronarët përfitues dhe administratorët nuk janë dënuar penalisht (dokumenti duhet të jetë i lëshuar jo më larg se tre muaj nga dita e paraqitjes).
Në listën e institucioneve që do të konsultohen nga Banka e Shqipërisë gjatë shqyrtimit të kërkesës për licencim, do të shtohet edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), përveç institucioneve të tjera të parashikuara edhe në kuadrin ekzistues, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Tatim Taksave, etj.
Rritet kërkesa për kapital
Projektrregullorja parashikon që kapitali minimal i kërkuar për licencimin e këtyre zyrave do të dyfishohet, nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë (ose kundërvlera e shumës në Dollar Amerikan ose Euro).
Çdo pagesë e kapitalit fillestar minimal, çdo shtesë e mëvonshme e tij, si dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit shoqërohet me paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të informacionit lidhur me burimin e krijimit të këtij kapitali. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe të bëjë verifikime të mëtejshme lidhur me burimin e krijimit të fondeve që do të shërbejnë si kapital
fillestar minimal, ose si shtesë e mëvonshme e tij.
Në çdo rast, nëse gjatë procesit të licencimit nuk plotësohet kundërvlera në Lek, si pasojë e luhatjeve të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë mund të kërkojë plotësimin e shumës së depozituar të kapitalit.
Gjithashtu, projektrregullorja vendos për herë të parë limite mbi veprimet në para fizike të kryera nga zyrat e këmbimit.
Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor nuk do të lejohet të mbajë në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal.
Zyrat e këmbimit nuk do të lejohen gjithashtu të kryejnë transaksione në para fizike, të cilat tejkalojnë një shumë prej një milion lekësh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëri-tjetrin.
Transaksionet që tejkalojnë shumën një milion lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, duhet kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.
Projektrregullorja parashikon edhe rritjen e komisioneve që subjekti aplikues i paguan Bankës së Shqipërisë për licencimin. Komisioni për dhënien e licencës do të rritet në 3000 lekë (nga 1500 lekë që parashikohet në rregulloren aktuale), ndërsa komisioni për çdo kartë identifikimi të kambistëve rritet në 1000 lekë (nga 500 lekë që parashikohet në rregulloren aktuale).
Gjobat rriten deri në 1 milion lekë
Projektrregullorja parashikon gjithashtu rritje të vlerës maksimale të gjobës për shkelje të kuadrit ligjor dhe rregullator. Në rregulloren e mëparshme, gjobat për subjektin ose administratorin parashikoheshin nga 20 mijë lekë deri në 100 mijë lekë, ndërsa me rregulloren e re gjobat mund të arrijnë deri në 1 milion lekë.
Gjobat deri në vlerën e 1 milion lekëve mund të aplikohen në rastet kur subjekti nuk zbaton dispozitat e ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”; kur punonjësit e subjektit nuk janë autorizuar si kambistë nga Banka; kur subjekti nuk afishon licencën për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor; kur kambistët e subjektit nuk lëshojnë faturën përkatëse për transaksionet e
këmbimit valutor; kur subjekti nuk plotëson kërkesat për ushtrimin e veprimtarisë lidhur me kushtet teknike dhe të sigurisë, në përputhje me aktet nënligjore të Bankës; kur subjekti nuk vepron në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit; kur subjekti nuk raporton në Bankën e Shqipërisë; kur subjekti nuk informon klientin nëpërmjet “Deklaratës për njohjen paraprake me
komisionin e aplikuar”; kur kambisti ushtron veprimtarinë e këmbimit valutor jashtë ambienteve të zyrës së këmbimit valutor.
Me rregulloren aktuale, Banka e Shqipërisë pezullon licencën e zyrës për 60 ditë, në rast se ka prova të besueshme që subjekti është përfshirë në aktivitete të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me projektrregulloren e re, propozohet që pezullimi i licencës të bëhet pa afat.
BSH: Do të analizojmë nëse duket kufizuar numri i licencave të reja
Sipas informacionit zyrtar në raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i Zyrave të licencuara të Këmbimit Valutor arriti në 642. Numri i zyrave të licencuara u rrit me 3.4% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2024, u licencuan 46 zyra të reja të këmbimit valutor dhe iu revokua licenca 25 zyrave ekzistuese. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i tyre është rritur me 27.6%.
Të dhënat e deritanishme të vitit 2025 tregojnë se në pesë muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë u ka revokuar licencat 45 zyrave të tjera të këmbimit valutor.
Mbështetur në informacionin e Bankës së Shqipërisë, tre qarqet me përqendrimin më të lartë të ZKV-ve janë Qarku i Tiranës (49.6%), i Fierit (9.31%), i Vlorës (8.51%) dhe i Durrësit (8.19%).
Banka e Shqipërisë vlerëson se në rastet kur, bazuar në studime të zhvillimeve të tregut, ajo do të gjykojë se në treg operon një numër i madh subjektesh që ushtrojnë veprimtari të caktuara financiare përtej kërkesave të tregut, mund të kufizojë përkohësisht licencimin e subjekteve të reja që kërkojnë të ushtrojnë këto veprimtari financiare.
“Nga ana tjetër, bazuar mbi nevojën e shpërndarjes gjeografike të shërbimeve financiare, do të nxiten subjektet që synojnë të fokusohen në zona që nuk kanë prani të bankave apo institucioneve të tjera financiare jobanka, siç janë zonat rurale dhe periferike, ku nevoja për shërbime të tilla si shërbimet e këmbimit valutor, etj., është më e madhe.
Pra, vlerësojmë se numri i subjekteve që veprojnë në tregun e këmbimeve valutore do të vijojë të analizohet në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë dhe, eventualisht, mund të ndërmerren masat e lartpërmendura, kufizuese apo stimuluese, sipas rastit”, – shprehet Banka e Shqipërisë.
BSH, 12 masa për ZKV-të vitin e kaluar
Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2024 u vendosën masa administrative (gjoba) për 12 zyra të këmbimit valutor dhe revokim licence për njërën prej tyre.
Mbështetur në prononcimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë për “Monitor”, problematikat që hasen gjatë kontrollit në zyrat e këmbimit të parasë dhe që kanë natyrë të parandalimit të parasë dhe financimit të terrorizmit janë me tipologji të ndryshme.
Problematikat kryesore të listuara nga Banka e Shqipërisë janë:
– Mungesa e njohurive dhe moszbatimi i detyrimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr. 157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” dhe në ligjin Nr. 72/2019, datë 17.10.2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, si dhe ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008 “Pёr Parandalimin e Pastrimit tё Parave dhe Financimin e Terrorizmit”, si dhe akteve nënligjore për PPP/PFT.
– Moszbatimi i vigjilencës së duhur për rastet e transaksioneve të parashikuara në nenin 4, germa “b” dhe “c” të Ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit tё parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndryshuar.
– Mosraportimi në Bankën e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e nenit 19 të rregullores nr. 31, datë 06.06.2007 “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, ndryshuar.
– Mosplotësimi i sistemit të centralizuar me të gjitha të dhënat sipas aneksit IV të Udhëzimit nr. 28, datë 31.12.2012 të ministrit të Financave, në përputhje me pikën 1, shkronja “c”, të nenit 11 të Ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit tё parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndryshuar.
– Mosmbajtja e evidencave për verifikimet e kryera për klientët e regjistruar në bazën e të dhënave me listat “person i shpallur” dhe listën e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Lidhur me sistemin e rregullimit dhe të kontrollit të tyre, Banka e Shqipërisë sqaron se ZKV-të janë të detyruara që të pajisin klientin me faturë për çdo transaksion këmbimi valutor, si dhe të dokumentojnë transaksionin duke ruajtur një kopje të faturës dhe duke e regjistruar atë.
Banka e Shqipërisë kryen inspektime periodike pranë ZKV-ve me fokus përmbushjen e kërkesave të sipërpërmendura dhe detyrimeve në lidhje me vigjilencën e duhur dhe të zgjeruar, përfshi edhe raportimet e transaksioneve cash pranë autoritetit përgjegjës, të parashikuara sipas ligjit.
“Në rast të konstatimit të problematikave në lidhje me identifikimin e klientëve, Banka e Shqipërisë, sipas parashikimit të nenit 20, të rregullores 31/2007 ‘Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor’, version i integruar, aplikon masë administrative dhe në rast se konstatohen se shkeljet janë të përsëritura, Banka revokon licencën e Subjektit sipas parashikimeve ligjore.
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, ka organizuar trajnime me qëllim rritjen dhe forcimin e njohurive mbi detyrimet ligjore për parandalimin e pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit, si dhe pasojat në rast mosrespektimi të kërkesave ligjore dhe rregullatore”, – shprehet Banka e Shqipërisë.
Agjencia e Inteligjencës, 24 masa ndaj ZKV-ve në pesë vitet e fundit
“Monitor” kërkoi një prononcim nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, lidhur me projektrregulloren e re, problematikat e evidentuara në aktivitetin e zyrave të këmbimit valutor dhe sugjerimet e këtij institucioni për përmirësime të mundshme të kuadrit që rregullon aktivitetin e këtyre institucioneve.
Në përgjigje, drejtuesi i AIF sugjeroi që për problematikat në aktivitetin e ZKV-ve t’i referohemi raportit të fundit vjetor të këtij institucioni.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të cituara në raportin vjetor 2024, vitin e kaluar, zyrat e këmbimit valutor raportuan gjithsej vetëm 19 transaksione të dyshimta pranë këtij institucioni. Numri i transaksioneve të raportuara pësoi rënie me 41% krahasuar me një vit më parë.
Në pesë vitet e fundit, numri total i rasteve të raportuara nga ZKV-të është gjithsej 68. Numrat e raportimeve janë shumë të vogla, nëse i krahasojmë me bankat, institucionet financiare të transfertave të parave apo edhe noterët.
Për shembull, vitin e kaluar, bankat tregtare raportuan 718 transaksione të dyshimta, shoqëritë e transfertave 365 transaksione, ndërsa noterët, 413 transaksione.
Gjithnjë sipas AIF, vitin e kaluar u evidentuan katër kundërvajtje administrative mes Zyrave të Këmbimit Valutor të inspektuara. Për këto kundërvajtje, u ndërmorën dy masa administrative me gjobë, në vlerën totale 1 milion lekë dhe dy masa të tjera me paralajmërim.
Në pesë vitet e fundit, AIF ka vendosur gjithsej 24 masa me gjoba ndaj Zyrave të Këmbimit Valutor, për një shumë totale prej 10.9 milionë lekësh. Viti më problematik për këto institucione financiare ishte 2023, kur AIF vendosi 11 gjoba, për një shumë totale prej 5.6 milionë lekësh.
Lidhur me projektrregulloren e re dhe me problematikat e tregut të zyrave të këmbimit valutor, “Monitor” kërkoi një prononcim edhe nga operatorët e rëndësishëm të tregut.Megjithatë, ata u shprehën se qëndrimet e tyre lidhur me projektrregulloren kanë vendosur t’i adresojnë zyrtarisht te Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Në këtë fazë të diskutimeve, shoqata përfaqësuese e këtyre subjekteve ka vendosur të mos shprehet publikisht lidhur me qëndrimet e saj.
Vlerësimi i MONEYVAL, i përmirësuar
Në tetor të vitit 2023, Shqipëria doli zyrtarisht nga e ashtuquajtura “lista gri” apo statusi i monitorimit të shtuar për pastrimin e parave.
Ndërkohë, raporti i fundit i MONEYVAL (Komitet ekspertësh i Këshillit të Europës për vlerësimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit) për Shqipërinë i takon qershorit të vitit 2023 dhe në të vlerësohej se Shqipëria ka përmirësuar masat e saj për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (AML/CFT).
Raporti vinte në dukje se Shqipëria ka përmirësuar përputhshmërinë e saj me Rekomandimet 25 të Task Forcës së Veprimit Financiar, të lidhur me transparencën dhe pronarët përfitues, si dhe rekomandimin 28, për rregullimin dhe mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jashtë sektorit financiar.
Vendi është rivlerësuar për këto dy rekomandime nga “pjesërisht në përputhje” në “gjerësisht në përputhje”.
Që nga qershori 2022, Shqipëria ndërmori masa shtesë, të cilat adresuan mangësi të rëndësishme në lidhje me administratorët që u nënshtrohen kërkesave të AML/CFT (parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit) dhe thjeshtuan aksesin në informacionin e pronësisë përfituese për autoritetet kompetente.
Sipas raportit, gjithashtu Shqipëria përmirësoi masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme. Autoriteti licencues për noterët tani ka të drejtë të revokojë licencat për shkelje të legjislacionit AML/CFT.
Shqipëria gjithashtu miratoi rregulla mbikëqyrjeje të bazuar në risk mbi agjentët e pasurive të paluajtshme.
Duke ju referuar raportit të plotë, rekomandimet e ngelura të MONEYVAL janë të lidhura kryesisht me aktivitetin e profesioneve jashtë sektorit financiar, si agjentët e pasurive të paluajtshme, noterët apo avokatët.
Problematikat lidhen kryesisht me nevojën për detajim të kuadrit raportues dhe mbikëqyrës për këto profesione. Ndërkohë, raporti i fundit nuk përmban vërejtje apo rekomandime lidhur me Zyrat e Këmbimit Valutor.
Raportimi i radhës së Shqipërisë pranë MONEYVAL pritet të bëhet brenda këtij viti./Monitor

Kursi i këmbimit valutor për ditën e sotme, 12 korrik

Fundoset euro, bie në nivelin më të ulët historik! Leku fiton terren





