Nga 14 shoqëri ujësjellës-kanalizimesh të paktën 8 prej tyre, ose 57%, nuk kanë një laborator për të kryer analizat e ujit të pijshëm.
Mungesa e kësaj hallke cenon sigurinë e ujit që mbërrin në shtëpitë e qytetarëve. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve nënvizon ndër të tjera edhe këtë pikë.
“Nga auditimi i laboratorëve për analizimin e ujit të pijshëm, nga 14 shoqëri ujësjellësish, 6 shoqëri (Berat, Elbasan, Korçë, Lushnjë, Pogradec dhe Sarandë) kanë ambiente për laborator, ndërsa 8 shoqëritë e tjera nuk kanë ambiente të përshtatshme për ndërtimin e laboratorëve ose e thënë ndryshe nuk ka laboratorë çka sjell mos kryerjen e analizave të ujit të pijshëm dhe mos garantimin e sigurisë tek qytetarët” thuhet në auditim.
Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve janë përfshirë në dy vitet e fundit në një proces reformimi ku ndërmarrjet më të vogla rajonale kanë krijuar ndërmarrje më të mëdha dhe nga 58 të tilla janë reduktuar në 14 ndërkohë që ende mbetet Vora dhe Tirana jashtë kësaj reforme.
Audituesit e KLSH kanë gjetur edhe problematika të tjera të lidhura me procedurat e prokurimit ku nga 3 procedura “Punë dhe Mallra” të marra në analizë, në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) është konstatuar se, jo të gjithë kriteret kualifikuese janë argumentuar teknikisht në përputhje me grafikun, volumin, natyrën e punës apo zërave të preventivit.
Po kështu janë konstatuar mangësi në kërkesa për drejtuesit teknik, licenca, mangësi në përcaktimin e specialistëve dhe të specifikimeve teknike.
Në auditimin e 6 procedurave të tjera të prokurimit “Punë dhe Mallra”, nuk janë zbatuar aktet ligjore e nënligjore të Ligjit të Prokurimit Publik në vlerësimin e ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke kualifikuar operatorë ekonomikë fitues, në mosplotësim të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të DST.
Një tjetër problem është ai i detyrimeve të prapambetura të cilat pavarësisht vendimeve të dhëna nga gjykata kanë mbetur pa ekzekutuar duke rritur kështu faturën finale si efekt i kamatëvonesave.
Konkretisht audituesit vlerësojnë se procesi i shpronësimit për projektin “Përmirësimi i Sistemit të Kanalizimeve të Tiranës së Madhe” ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel ecurie dhe pa progres të dukshëm.
“Vlerat e përllogaritura të efekteve financiare që burojnë nga vendimet gjyqësore të formës së prerë për ekzekutim, nuk janë njohur në kontabilitet si detyrime për t’u shlyer sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, por janë njohur në momentin e likuidimit, me efekt financiar në buxhetin e shtetit nga AKUK, për 2021-2024/06, për vlerën 71.6 milionë lekë, dhe ende pa u shlyer vlera 159.9 milionë lekë, e cila përbën risk të shtuar me efekt negativ financiar në buxhetin e shtetit sepse duke mos u planifikuar për t’u shlyer, mbart edhe kamatëvonesa që mund të kërkohen nga subjektet kreditorë.
Përveç shumës së përcaktuar më lart në vlerën 159.9 milionë lekë për dëm shpërblim ndaj gjyqe fituesve, AKUK ka edhe një shumë tjetër të pritshme me vendime të shkallës së dytë për likuidim të të shpronësuarve në vlerën 56.8 milionë lekë” thuhet në auditim. / Monitor.al