AKTUALITET /

Durana Park, livadhi fiskal i privilegjuar ku Elira Kokona projektoi parajsën e biznesit dhe ia rriti vetes pagën me 35% në një korporatë me humbje kronike

Një auditim i thelluar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në muaj prill 2025 ka zbuluar një sërë shkeljesh, mospërputhjesh dhe dështimesh menaxheriale në Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC), e cila ka qenë përgjegjëse për zbatimin e disa projekteve strategjike, përfshirë projektin “Durana Park”, që synonte zhvillimin e zonës midis Tiranës dhe Durrësit si një nyje ekonomike e re kombëtare.

Shkruar nga Versus
Durana Park, livadhi fiskal i privilegjuar ku Elira Kokona projektoi
Elira Kokona

Një auditim i thelluar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në muaj prill 2025 ka zbuluar një sërë shkeljesh, mospërputhjesh dhe dështimesh menaxheriale në Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC), e cila ka qenë përgjegjëse për zbatimin e disa projekteve strategjike, përfshirë projektin “Durana Park”, që synonte zhvillimin e zonës midis Tiranës dhe Durrësit si një nyje ekonomike e re kombëtare.

Sipas raportit zyrtar, KLSH ka dhënë një opinion të kualifikuar, duke vlerësuar se shkeljet në AIC janë “materiale, por jo të përhapura”.

Megjithatë, gjetjet tregojnë një tablo alarmante për mënyrën si janë planifikuar dhe menaxhuar fondet publike.

Planifikim pa strategji, buxhet pa llogari

Auditimi zbulon se planifikimi buxhetor i AIC-së është kryer në mënyrë të pamjaftueshme, pa analizë të argumentuar dhe me mospërputhje të thella mes parashikimeve dhe realizimeve faktike.

Këto devijime sipas raportit kanë ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e performancës ekonomiko-financiare së korporatës.

Në thelb, AIC nuk ka zbatuar asnjë manual, metodologji apo udhëzues standard për hartimin dhe seleksionimin e projekteve investuese, duke e kthyer procesin në një praktikë të paformalizuar e subjektive, pa garanci ligjore apo ekonomike.

Projekte të ndërprera dhe analiza të munguara për “Durana Park”

Një ndër gjetjet më të rënda lidhet me ndërprerjen e projekt-propozimeve, përfshirë ato për “Durana Park”-un dhe projektet në fushën e energjisë dhe zhvillimit të zonave prioritare.

Sipas KLSH, edhe pse AIC kishte kontraktuar ekspertë të jashtëm për studimet e parafizibilitetit, procesi u ndërpre pa vlerësim të arsyeshëm dhe pa analizë ekonomike.

Raporti thekson mungesën e çdo dokumenti strategjik që të përcaktojë arsyet e përzgjedhjes së pronave shtetërore për zhvillim, analizën e përfitueshmërisë apo vlerës së shtuar të investimit.

“Durana Park”, që u prezantua si një model i zhvillimit të qëndrueshëm dhe tërheqjes së kapitalit privat, nuk ka pasur asnjë analizë të qartë mbi risqet, kostot financiare dhe treguesit e rentabilitetit.

Huaja prej 2 miliardë lekësh: një vendim që ngre pikëpyetje

Një tjetër çështje e ndjeshme ka të bëjë me miratimin e huasë prej 2 miliardë lekësh që AIC i dha një tjetër shoqërie shtetërore, “A. SHA”, për mbulimin e mungesës së likuiditetit.

KLSH konstaton se pas mbarimit të afatit 1-vjeçar, kjo hua nuk është shlyer, por është shtyrë me kërkesë të vetë debitorit, duke ekspozuar Korporatën ndaj rreziqeve të thella financiare dhe ligjore.

Dokumente të dyfishta dhe dorëzime të vonuara

Një tjetër gjetje e rëndësishme është se AIC ka dorëzuar pasqyrat financiare dhe deklaratat tatimore në dy versione të ndryshme për vitet 2020-2023, duke tejkaluar afatet ligjore dhe duke u ekspozuar ndaj penaliteteve. Për më tepër, nuk janë përcaktuar qartë përgjegjësitë midis drejtorit ekzekutiv dhe atij të financës.

KLSH vëren gjithashtu vonesa në dorëzimin e deklaratave vetëvlerësuese, mungesë manualesh dhe strategjish risku, si dhe dokumentacion të paplotë të sistemit të kontrollit të brendshëm.

Struktura drejtuese e cunguar dhe rekrutime pa procedura

Nga auditimi del se Këshilli Mbikëqyrës ka funksionuar për disa vite pa kryetar dhe me anëtarë që nuk kanë dorëzuar dokumentet e kualifikimit.

Po ashtu, shpërblimet për anëtarët “jo ndërkombëtarë” janë bërë në mungesë të kritereve të qarta.

Në proceset e rekrutimit të AIC-së, 4 nga 6 rastet e verifikuara nuk kanë dokumentacion të plotë mbi procedurat e ndjekura, duke treguar shkelje flagrante të rregullores së brendshme.

Rroga e Kokonës rritet, “Durana” mbetet livadh

Ndërsa projekti “Durana Tech Park” vazhdon të ekzistojë vetëm në letër dhe në prezantime 3D, pa asnjë ndërtim real në terren pavarësisht regjistrimit të dhjetëra kompanive me status preferencial dhe lehtësira fiskale, vendimet e marra në dhjetor 2023 kanë prodhuar një efekt shumë konkret: rritje të ndjeshme pagash për drejtuesit e Korporatës së Investimeve Shqiptare.​

Elira Kokona, drejtuese e AIC-së, i ka rritur vetes pagën me rreth 35%, duke çuar shpërblimin mujor të pozicionit të Drejtorit Ekzekutiv nga intervali 340–400 mijë lekë në intervalin e ri 400–540 mijë lekë bruto. Në të njëjtin vendim, janë rritur me 6–13% edhe rrogat e drejtuesve të tjerë si Drejtori i Kabinetit, drejtues divizionesh dhe këshilltarë, ndërkohë që, paradoksalisht, janë ulur pagat për specialistët e thjeshtë të institucionit.​

Kjo skemë pagash vjen në një kohë kur, sipas auditimit të KLSH-së, Korporata e Investimeve Shqiptare ka dalë me humbje çdo vit që prej krijimit në fund të vitit 2019, duke konsumuar fonde publike pa gjeneruar të ardhura reale dhe pa finalizuar projekte të mëdha si “Durana Park”.

Kontrasti mes performancës së dobët ekonomike dhe rritjes agresive të përfitimeve të kupolës drejtuese ngre dyshime serioze mbi mënyrën si trajtohet pasuria publike dhe përgjegjshmëria menaxheriale në këtë institucion./Versus.al

Poll