Çfarë do të gjeni në brendësi
*Altin Ndoci, i cili prej vitit 2020 mbahej i izoluar në IEVP Durrës me urdhër të SPAK, është arratisur mesditën e sotme nga reparti i Infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit. *I burgosuri ishte shoqëruar nga pesë efektivë të Policisë së Burgjeve, përfshirë edhe një shofer, për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar. *Sipas informacioneve, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga efektivët. *Në momentin që ka dalë prej andej, ai ka goditur me grusht një prej policëve dhe është larguar me vrap nga kati i tretë i spitalit, duke zbritur shkallët. *Efektivi i goditur e ka ndjekur dhe ka qëlluar në ajër në oborrin e spitalit për ta trembur, por Ndoci ka arritur të largohet. *Dyshohet se ai është drejtuar drejt zonës së Spitallës. *Në një deklaratë paraprake, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri me dije se, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve, i burgosuri arriti të largohej nga ambientet e spitalit.
Arratisja e Altin Ndocit, reagon Policia e Shtetit: Nuk u njoftuam nga burgu i Durrësit!

Policia e Shtetit, ka reaguar pas arratisjes nga spitali Durrësit të burgosurit Altin Ndoci. Policia shpjegon se, nuk është kërkuar mbështetja e forcave të rendit për të shoqëruar të paraburgosurin Altin Ndoci.
“Policia e Shtetit merr masa kur njoftohet nga burgjet, por për këtë rast nuk jemi njoftuar dhe nuk na është kërkuar ndihmë”, thotë policia në një reagim për mediat
Prej dy ditësh, Altin Ndoci ishte i shtruar në repartin Infektiv të Spitalit të Durrësit, ku po merrte ndihmë mjekësore për disa probleme shëndetësore të shfaqura ditët e fundit. Ai i kërkoi policit që ti jepte leje për në tualet, dhe më pas është larguar nga kati i tretë përmes shkallëve.
Një nga oficerët e policisë qëlloi në ajër, por Altin Ndoci dyshohet se ka hipur në një makinë “Audi A7” në parkim dhe më pas është arratisur./Versus.al
Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit dhe stafi mjekësor

Pas arratisjes së Altin Ndocit, autoritetet kanë vendosur pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit së bashku me stafin mjekësor ku i burgosuri kishte vajt për mjekim.
Masa përfshin drejtorin e institucionit, shefin e policisë së burgjeve dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime zyrtare bëjnë me dije se pritet të dalin edhe konkluzionet lidhur me përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.
Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë kriminale, u arratis ditën e sotme nga paraburgimi i Durrësit, teksa po trajtohej në spital për probleme shëndetësore.
Ndoci dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe akuzohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale.
Mes tyre janë vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës në vitin 2020, si edhe ngjarja e njohur si masakra e Bradasheshit në vitin 2018, ku u vranë Endrit Alibej dhe daja i tij, Arben Dylgjeri.
Hetimet për arratisjen vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të të arratisurit dhe po verifikojnë të gjitha procedurat e ndjekura nga strukturat përgjegjëse./Versus.al
Publikohet momenti kur Altin Ndoci arratiset me vrap nga spitali i Durrësit

Versus.al ka siguruar foto nga momenti i arratisjes së Altin Ndocit nga spitali infektiv në Durrës ditën e sotme.
Fotoja është shkëputur nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë.
Ndoci ka qenë i veshur me xhup të zi. Pasi ka dalë nga spitali ai ka vijuar drejt parkingut në pjesën e pasme të spitalit në të cilën e priste AUDI A7 ngjyrë i bardhë me të cilën ka mundur të arratisej.
Kamera nga materniteti i Durrësit ka arritur të fokusojë momentin kur Altin Ndoci është larguar me AUDI-n A7 i Bardhë me targa AA 700 RS e cila e priste tek parkingu.
View this post on Instagram
Jashtë u prit nga një “Audi” i bardhë/ Zbulohen detaje të reja nga arratisja e Altin Ndocit i akuzuar për 4 vrasje
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Burgu i Durrësit.
Sipas burimeve për mediat, Ndoci i cili prej dy ditësh ndodhej i shtruar në repartin e Infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të problemeve shëndetësore.
Mësohet se gjatë qëndrimit në spital, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet, i shoqëruar nga dy efektivë të Policisë së Burgjeve.
Në momentin që ka dalë prej andej, ai i ka goditur efektivët dhe është larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit, duke zbritur shkallët dhe duke u zhdukur brenda pak çastesh ndërsa dyshohet se në parkimin e spitalit e priste një automjet tip Audi A7.
Njëri prej policëve ka qëlluar me armë në ajër në përpjekje për ta ndalur, por i burgosuri nuk është ndalur dhe ka vijuar arratisjen. Dyshohet se ai është drejtuar drejt zonës së Spitallës, ndërsa policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Durrësit.
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Burgjeve bëri me dije se Altin Ndoci ishte shoqëruar në Spitalin Rajonal të Durrësit për vizita mjekësore, të zhvilluara në repartin e Infektivit, i cili ka edhe sektor sigurie për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të sigurisë, ai arriti të largohej.
Autoritetet bëjnë me dije se strukturat përkatëse janë angazhuar maksimalisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Versus.al
Arratisja e të arrestuarit për disa vr*sje, Drejtoria e Burgjeve: Na iku teksa merrte mjekim në spital

Drejtoria e Burgjeve ka dhënë informacion paraprak për arratisjen e personazhit me rrezikshmëri të lartë, Altin Ndoci i cili mbahej i paraburgosur për përfshirjen në disa vrasje.
Në reagim thuhet se Ndoci ka qenë duke marrë mjekim tek infektivi në momentin kur ka arritur të largohet nga spitali rajonal i Durrësit.
"Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes"- thuhet në reagim. Versus.al
I arrestuar me urdhër të SPAK për 4 vrasje, Altin Ndoci arratiset nga paraburgimi i Durrësit
Altin Ndoci, i arrestuari me urdhër të SPAK është arratisur sot nga paraburgimi i Durrësit. I cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë kriminale, Ndoci akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e 4 personave.
Ai po trajtohej në spital pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore. Ndoci ishte arrestuar me urdhër të SPAK nën dyshimin se ka qenë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Ngjarjet kriminale për të cilat dyshohet si autor janë vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës në vitin 2020 dhe masakra e Bradasheshit në 2018-ën ku mbetën të vrarë Endrit Alibej dhe daja i tij, Arben Dylgjeri.

