Zi në botën e futbollit. Mbrojtësi gjerman Sebastian Hertner humbi jetën pasi ra 70 metra nga një teleferik gjatë pushimeve të tij për ski në Mal të Zi. Hertner po kalonte pushimet në Savin Kuk, në veri të Malit të Zi, kur teleferiku me të cilin po udhëtonte papritmas u prish, duke bërë që ai të rrëzohej dhe të vdiste.
"Me hidhërim të thellë njoftojmë se kapiteni ynë Sebastian Hertner ka vdekur në një aksident tragjik gjatë pushimeve. Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij. Pusho në paqe, Sebastian", shkroi në rrjetet e tij sociale klubi që ai drejtoi si kapiten, ETSV Hamburg.
Sipas raportimeve fillestare, teleferiku u shkëput nga kablloja e tij, duke goditur pjesën e pasme të teleferikut dhe duke bërë që futbollisti të binte nga një lartësi prej afërsisht 70 metrash. Hertner vdiq menjëherë.
Gruaja e tij, dëshmitare dhe gjithashtu viktimë e incidentit, ishte pranë tij. Ekipet e shpëtimit e arritën atë disa orë më vonë. Gruaja, në gjendje shoku, pësoi një thyerje të këmbës.
Transporti me teleferik u mbyll menjëherë dhe autoritetet gjyqësore malazeze nisën një hetim për të përcaktuar përgjegjësinë./Versus.al

