
Isa Aliu është një nga 10 personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të fundit të Prokurorisë së Posaçme, e cila ditën e sotme ka vendosur sekuestro mbi dhjetëra pasuri dhe biznese me një vlerë të përllogaritur mbi 150 milionë euro.
Me një kapital fillestar prej vetëm 1 mijë eurosh, ai dyshohet se ngriti një rrjet të gjerë kompanish në sektorët e ndërtimit, hotelerisë dhe energjisë, të cilat sipas SPAK janë përdorur për pastrimin e miliona eurove të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Fiitimet e gjeneruara nga trafiku i kokainës transferoheshin fillimisht në Shqipëri në formë cash dhe më pas investoheshin në pasuri të paluajtshme, aksione kompanish dhe projekte të ndryshme ndërtimi.
SPAK ka bërë të ditur se fondet e siguruara nga aktiviteti kriminal janë kanalizuar përmes disa shoqërive tregtare që operonin kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës dhe energjisë.
Një rol të rëndësishëm në këtë skemë dyshohet të ketë luajtur kompania “A.. R.. H...” sh.p.k., në llogaritë e së cilës janë injektuar shuma të konsiderueshme parash me qëllim krijimin e një historie financiare të ligjshme.
Sipas hetuesve, kompania u prezantua fillimisht si nënkontraktore në projekte banimi për të justifikuar flukset e vazhdueshme financiare dhe zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit. Aktiviteti i saj në këtë fushë nisi gjatë periudhës maj-qershor 2021, menjëherë pas injektimit të fondeve në llogaritë bankare.
Hetimet paraprake tregojnë se pastrimi i parave është realizuar edhe përmes blerjeve fiktive të kuotave të kapitalit në kompani të ndryshme, me vlera shumë më të ulëta se çmimi real i tregut. Sipas SPAK, kjo metodë shërbente për të marrë kontrollin e subjekteve tregtare me kosto minimale, ndërsa fondet qarkullonin përmes huave dhe transaksioneve mes personave e kompanive të lidhura.
Nga verifikimet rezulton se Isa Aliu ka investuar në projekte të rëndësishme turistike dhe ndërtimore, pavarësisht kapitalit fillestar modest. Një prej investimeve më të njohura është resorti luksoz “Aliu Road House” në Gjirin e Lalzit, zonë që vitet e fundit ka njohur një zhvillim të vrullshëm turistik.
Më pas, aktiviteti i tij u zgjerua edhe në sektorin e ndërtimit përmes kompanisë “Sea Vieë Development”, e cila tashmë është pjesë e listës së subjekteve të sekuestruara nga SPAK. Nën sekuestro janë vendosur gjithashtu edhe kompani të tjera, mes tyre “G.E.A Green Energy”, të cilat dyshohet se janë përdorur për riciklimin e të ardhurave të krijuara nga aktivitetet kriminale.
Operacioni i SPAK ka çuar në sekuestrimin e vilave luksoze, apartamenteve, trojeve, aksioneve të kompanive dhe investimeve në zonat më të lakmuara të vendit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar origjinën e kapitalit, flukset financiare dhe lidhjet mes kompanive të përfshira në skemën e dyshuar të pastrimit të parave.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, rrjeti i ngritur nga Isa Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se ka shfrytëzuar sektorin e ndërtimit dhe turizmit për të integruar në ekonominë shqiptare miliona euro të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

