Live Updates /

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i rindërtojë ndërtuesi! Armand Lilo nën hetim, pranga menaxheres së Big Market

*30 apartamente raportohet të jenë shkrumbuar nga flakët që përfshinë pallatin 12 katësh në kompleksin “Arlis” ditën e djeshme në zonën e njohur si “Farmacia 10” pranë QSUT. Plot 11 persona u paraqitën në urgjencën e QSUT për të marrë ndihmë mjekësore. *Banorët të trishtuar për ngjarjen, u shprehën se e kishin kaluar natën jashtë pavarësisht deklaratës së prefektit i cili u mbështet tek “empatia e shqiptarëve” më shumë sesa tek masat që duhet të kishin marrë autoritetet. *Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se i gjithë pallati do të rindërtohet nga ndërtuesi Armand Lilo. Ky i fundit nuk kishte reaguar deri në atë moment, ndërsa kompania “Arlis Construction” mbështeti deklaratën e Ramës. *Policia nisi hetimet ndaj Armand Lilos, ndërsa arrestoi 4 persona të tjerë për ngjarjen, mes të cilëve menaxheren e Big Market dhe administratorin e pallatit.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*30 apartamente raportohet të jenë shkrumbuar nga flakët që përfshinë pallatin 12 katësh në kompleksin “Arlis” ditën e djeshme në zonën e njohur si “Farmacia 10” pranë QSUT. Plot 11 persona u paraqitën në urgjencën e QSUT për të marrë ndihmë mjekësore. *Banorët të trishtuar për ngjarjen, u shprehën se e kishin kaluar natën jashtë pavarësisht deklaratës së prefektit i cili u mbështet tek “empatia e shqiptarëve” më shumë sesa tek masat që duhet të kishin marrë autoritetet. *Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se i gjithë pallati do të rindërtohet nga ndërtuesi Armand Lilo. Ky i fundit nuk kishte reaguar deri në atë moment, ndërsa kompania “Arlis Construction” mbështeti deklaratën e Ramës. *Policia nisi hetimet ndaj Armand Lilos, ndërsa arrestoi 4 persona të tjerë për ngjarjen, mes të cilëve menaxheren e Big Market dhe administratorin e pallatit.

7 Postime
3 DITE ME PARE

Me një “të rënë të shkrepses”, banorët e 'Arlis' humbën brenda pak orësh 21.6 milionë euro euro. Vetëm mobilimi llogaritet 2.4 milionë, kush do ua kompensojë?!

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i

‘Më ler të digjem me gjithë shpinë’ .

Një deklaratë drithëruese e thënë nga një grua, e cila më parë pranonte të vdiste sesa të shihte mundin e djersën e shumë viteve të shkrumbohej. 

Pas shuarjes së flakës u raportua se 30 apartamente tek kompleksi ‘Arlis’ u shkrumbuan nga flakët duke lënë pas një gërmadhë.

11 persona u paraqiten në QSUT për të marrë ndihmë mjekësore.

Arsyeja: Një fasadë e bërë me shkumë poliuretani material tepër i ndjeshëm ndaj zjarrit dhe që në shumë vende të botës është i ndaluar në ndërtim.

Por sa milionë euro të shqiptarëve u kthyen në hi sa hap e mbyll sytë.

Objekti i djegur në kompleksin “Arlis” është një pallat 12-katësh, i ndërtuar në një zonë urbane të dendur pranë QSUT-së.

Çmimi mesatar në këtë zonë llogaritet rreth 2,000 euro për metër katror, ndërsa sipërfaqja totale e objektit varion nga 8,000 deri në 10,800 metra katrorë.

Nëse merret si bazë kjo vlerë, atëherë prona kap një shifër të përafërt nga 16 milionë deri në 21.6 milionë euro, duke e bërë dëmin e shkaktuar nga zjarri tejet të rëndë.

Vlera e pronës para djegies arrin deri në 21.6 milionë euro.

Në rast zjarri të përhapur, dëmet strukturore dhe në instalime mund të shkojnë nga 30% deri në 70% të vlerës, çka do të thotë një humbje potenciale që mund të arrijë deri në 15 milionë euro.

Mobilimi mesatar për një apartament llogaritet rreth 30,000 euro. Në një pallat me 30 deri në 80 apartamente, humbjet vetëm për mobilimin dhe pasurinë personale mund të variojnë nga 900,000 euro deri në 2.4 milionë euro, duke e bërë dëmin edhe më të rëndë për banorët.

Shoqëria “Arlis Ndërtim”, në pronësi të Armand Lilos, i kritikuar dhe nga kryeministri Rama për ndërtime pa leje, e cila, pasi u shkatërroi pasurinë banorëve dhe i la ata në qiell të hapur, ka deklaruar se do të marrë përsipër rindërtimin e fasadës së pallatit dhe të apartamenteve të dëmtuara.

Por edhe nëse kompania ndërton sërish 30 apartamentet e shkrumbuara nga fillimi, mbetet një pyetje e rëndësishme: kush do të mbulojë mobilimin dhe pasurinë personale të familjeve, humbje që mund të shkojnë deri në miliona euro? /Versus.al

 

 

 

3 DITE ME PARE

4 të arrestuar për pallatin e djegur, policia: Nën hetim pronari i kompleksit dhe punonjëset e "Big Market"

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i

Policia doli me një njoftim zyrtar lidhur me veprimet hetimore të kryera pas zjarrit që shkrumboi pallatin 12 katësh në kompleksin "Arlis" në Tiranë. Katër persona janë arrestuar, konkretisht administratori i kompleksit, menaxherja e "Big Market" Razie Sula që ndezi zjarrin për të djegur kartonët, inxhinieri i punimeve të kompleksit, Enver Ademi si dhe administratori i pallatit, Altin Furtuna.

Ndërsa pronari Armand Lilo, është vënë nën procedim penal në gjendje të lirë. Si pasojë e flakëve u dëmtuan 11 persona, mes të cilëve edhe disa zjarrfikës.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:

-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.

Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore. Versus.al

3 DITE ME PARE

Djegia e pallatit te kompleksi Arlis, në kërkim ndërtuesi Armand Lilo! Arrestohet menaxherja e Big Market

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i
Ndërtuesi, Armand Lilo

Një ditë pas tragjedisë së ndodhur në pallatin 12 katësh të kompleksit Arlis pranë QSUT, autoritetet janë vënë në lëvizje duke arrestuar 4 persona të dyshuar si përgjegjës dhe duke shpallur në kërkim ndërtuesin Armand Lilo.

Ndërsa është arrestuar menaxherja e Big Market pasi dyshohet se zjarri e pati zanafillën nga djegia e kartonëve të këtij biznesi dhe më pas u përhap në të gjithë fasadën e pallatit.

Gjithashtu është ndaluar edhe administratori i pallatit. Deri më tani, raportohet se si pasojë e zjarrit, janë djegur rreth 30 apartamente. Versus.al

3 DITE ME PARE

"Bleva apartament 150 mijë euro", banori i pallatit të djegur te "Arlis": Fjetëm jashtë

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i

Banorët e pallatit të shkrumbuar ditën e djeshme në kompleksin “Arlis” kanë shprehur edhe pakënaqësinë ndaj policisë për të cilën thonë se nuk po i lejon të shohin dëmet brenda apartamenteve. Ndërsa shprehen se e kanë kaluar natën jashtë pavarësisht se prefekti Shkëlqim Hajdari u shpreh se kjo çështje nuk e kishte shqetësuar pasi të prekurit mund të strehoheshin tek të afërmit.

Njëri prej banorëve shprehet se e kishte blerë apartamentin e tij para dy vitesh me kundrejt shumën prej 150 mijë eurosh.

“Më është djegur shtëpia. Kat i katërt, shtëpia 150 mijë euro, e kam blerë para 2 vjetësh. Është bërë shkrumb e nuk më lë njeri të shoh shtëpinë time. Kam fjetur jashtë. Jam nga Dibra, s’kam shtëpi këtu”, u shpreh banori. Versus.al

4 DITE ME PARE

Zjarri shkatërroi pallatin te “Arlis”, 11 persona në urgjencë, dhjetëra apartamente të shkrumbuara

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i
Foto nga vendngjarja

Tiranë- 11 persona po marrin ndihmë mjekësore në urgjencën e QSUT pas dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri që përfshiu pallatin në kompleksin “Arlis” gjatë ditës së djeshme.

Deri më tani raportohet se rreth 30 apartamente janë shkrumbuar nga flakët duke lënë kështu dëme të shumta materiale. Ndërsa bilanci i saktë i dëmeve pritet të përcaktohet gjatë ditës së sotme.

Nga ana tjetër ende nuk është përcaktuar nga autoritetet shkaku i qartë i zjarrit pavarësisht aludimeve në media për ndikimin e një zjarri të ndezur me kartonat e "Big Market". Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për riaktivizim të zjarrit. Versus.al

4 DITE ME PARE

Kishte ditë pushimi, zjarrfikësi zgjodhi të rrezikonte për të ndihmuar qytetarët dhe kolegët në zjarrin e madh

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i
Zjarrfikësi, Marsel Troshku

Në përpjekjet për të shpëtuar personat e mbetur brenda pallatit që u shkrumbua nga flakët ditën e djeshme, zjarrfikësit e Tiranës bënë një punë heroike edhe në mungesë të mjeteve të përshtatshme për ndërhyrje.

Një prej tyre ishte edhe zjarrfikësi Marsel Troshku i cili ditën e djeshme ishte pushim dhe në momentin e zjarrit po kalonte kohën me fëmijët e tij. Megjithatë sapo dëgjoi për ngjarjen, ai vrapoi për të ndihmuar kolegët.

Pavarësisht se ishte pa uniformë, fotoja e publikuar nga gazetari Isa Myzyraj tregon momentin kur Troshku mori një mbrojtëse koke dhe u ngjit në shkallë për të mbërritur në ndihmë të qytetarëve të rrezikuar. Versus.al

4 DITE ME PARE

Flakët "përpinë" pallatin në Tiranë, inxhinieri tregon materialin e përdorur: I rrezikshëm, përhap zjarrin

30 apartamente të shkrumbuara te “Arlis”, Rama: Do i
Fotomontazh: Pallati që mori flakë dhe inxhinieri Erald Kërluku

Një prej shkaqeve kryesore të shkrumbimit të pallatit gjatë pasdites të së martës, janë materialet ndërtimore të përdorura. Inxhinieri Erald Kërluku tha se materiali i përdorur për mbështjelljen e fasadës, shkuma e poliuretanit është material tepër i ndjeshëm ndaj zjarrit, gjë që ka shkaktuar përhapjen e flakëve në të gjithë fasadën e jashtme.

“Ky lloj materiali nuk lejohet, duhet të përdoret ky lloj materiali (tregon produktin tjetër). Ky material është përdorur në fasadë, është shkumë poliuretani. Ky e përhap zjarrin”- tha Inxhinieri.

Ndërsa tha se përdorimi i materialit është në shkelje të protokolleve të sigurisë, ai shtoi se i njëjti material i rrezikshëm është përdorur edhe në ndërtesa të tjera në Tiranë.

“Ky është një rast i përsëritur në të njëjtin objekt. Ky produkt që përdoret për izolimin e fasadës, teknikët flasin për fasadë të ventiluar, e cila kërkon të krijosh hapësira ajrimi midis parateve të murit.

Duke pasur parasysh që aty është një xhep ajri që krijon presion shumë të lartë, materiali që është në kontakt me këtë rrymë ajri duhet të jetë në mënyrë absolute i padjegshëm.

Produkti që është përdorur në këtë rast është produkt i papërshtatshëm për këtë qëllim. Ky produkt nuk është i duhur për fasadat, kemi arritur ta ndalojmë përdorimin e tij në disa objekte. Në Tiranë ky është përdorur edhe në ndërtesa të tjera. Kjo nuk ka lidhje me koston, ka lidhje me mosrespektimin e protokolleve dhe informacionit që ka të bëjë me kushtet e ndërtimit të një fasade të tillë. Problematika kryesore është materiali termoizolues, i cili është përdorur për veshjen e fasadës dhe kontakti i drejtpërdrejtë i ajrit me zjarrin, që ka një ndjeshmëri të madhe ndaj flakëve”- shtoi Kërluku. Versus.al

Poll