Çfarë do të gjeni në brendësi
Mijëra qytetarë u mblodhën dhe këtë të diel para Kryeministrisë për të protestuar në ditën e 36-të kundër qeverisë. Pas protestës kombëtare që u zhvillua të shtunën me pjesëmarrjen masive të diasporës, mbëmjen e sotme, sërish në podium fjalën e kanë patur emigrantët. Në mesazhet e tyre, ata bënë thirrje për protestë paqësore dhe jo përçarje, ndërsa i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e protestës. Ata theksuan se pjesëmarrja në shesh tregon votën e vërtetë të shqiptarëve.
4 orë revoltë në shesh, qytetarët nisin marshimin në rrugët e kryeqytetit: Protesta do të vazhdojë deri në largimin e Ramës

Ka përfunduar pas 4 orësh, protesta e 36-të para Kryeministrisë, ku mbrëmja e sotme iu dedikua një grupi nga Diaspora dhe protestuesve që dolën nga arresti pas 72 orësh.
Në fjalën e tyre ata theksuan se nuk do të ndalin revoltën deri në largimin e qeverisë.
Protesta u mbyll me thirrjet “Rama n’burg", “Berisha n’burg”, dhe më pas organizatorët kanë përshëndetur dhe 2 protestuesit e tjerë që ndodhen në “arrest në shtëpi”.
Si çdo mbrëmje, qytetarët nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit./Versus.al
"Kjo është luftë për dinjitet", protestuesi: 6 deputetë të PS-së gati të heqin dorë e të çojnë në votëbesim qeverinë

Një prej protestuesve që mori fjalën gjatë protestës së 36-të në Tiranë bëri thirrje për ndryshim politik, duke e cilësuar protestën si një "luftë për dinjitet" dhe duke kritikuar qeverisjen aktuale.
Në fjalën e tij, protestuesi ngriti shqetësime për premtimet e pambajtura në fusha si shëndetësia, arsimi, rendi dhe punësimi, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të shumicës dhe opozitës që të mbështesin zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Protestuesi deklaroi gjithashtu se 6 deputetë të mazhorancës kanë shprehur, sipas tij, gatishmërinë për të kërkuar votëbesim për qeverinë.
“Kjo është një luftë për dinjitet. Ai na quan dështakë, Po shëndetësia falas? Po arsimi cilësor? Po rendi e siguria? Nuk do të mbaronte lista nëse do t’i numëronim të gjitha. Kam një thirrje për deputetët e PS dhe PD, ata pak që kanë një fije dinjitet. Ju e dini që rënia e Ramës është fikja e karrierës suaj. 6 deputetët të PS kanë shprehur vullnet të heqin dorë e të çojnë në votëbesim qeverisë. Po të vjen ora! Ne po bëjmë historinë. Për një Republikë për njerëzit e jo një individ që sillet si tiran”, tha ai./Versus.al
“Gjyshin ma varën në litar, babain ma shfrytëzuan në miniera”, protestuesi: Jam gati të jap jetën në shesh!

Një nga protestuesit i cili u arrestua për 72 orë pas protestës së 2 korrikut, i ka drejtuar një mesazh kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e sotme, pas daljes nga izolimi,
Niko Qarkaj tregoi se vjen nga një familje e persekutuar, ku gjyshin ja varën në litar në vitin 1947, ndërsa babai i tij, sot i verbër dhe invalid u shfrytëzua në miniera duke mos marrë asgjë në këmbim.
Qarkaj që vuan nga epilepsia, me shumë kurajo iu drejtua Ramës se nëse do të duhej që të jepte jetën në shesh, ai do ta japë.
“Djalin ma detyruan të hipë në gomone në moshën 18 vjecare në Londër. Po i bëj një pyetje zotit Rama, çfarë kërkon nga populli shqiptar që të shporresh? Do gjak? Nëse ti do jetë njeriu, unë do jem i pari që do jap jetën në shesh”, tha Niko Qarkaj.
“Kërkova informacion për shokët e mi, por më dhunuan”, protestuesi: Na u mohua ndihma mjekësore

Një nga protestuesit që fitoi lirinë ditën e sotme pas vendimit të gjykatës, foli për situatën në 72 orët e izolimit në komisariatin nr.3 në Tiranë.
I riu tregoi se u arrestua gjatë protestës së 2 korrikut para Parlamentit, për të vetmin faj se u kërkoi policëve informacion se ku janë dërguar protestuesit e ndaluar.
“E gjeta veten duke më dhunuar dhe shtrirë përtokë dhe më pas më dërguan në komisariat.
Atje na u mohua shërbimi bazë, ndihma mjekësore e nevojshme si dhe ekspertiza. Ne na dhunuan”, tha aktivisti./Versus.al
Mbahet protesta e 36-të qytetare kundër qeverisë, mijëra protestues mblidhen para Kryeministrisë

Ka nisur protesta e 36-të qytetare në Tiranë, ku mijëra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë.
Pas lirimit gjatë ditës së sotme të 19 protestuesve të arrestuar nga policia, organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë.
Organizatorët kanë bërë të qartë se sheshet nuk do të braktisen dhe askush nuk do të tërhiqet pas deri në përmbushjen e plotë të këtij qëllimi.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje të pandalshme mbetet vetëm një; rrëzimi i Edi Ramës.
Përmes mesazhit të prerë dhe të qartë “Ju erdhi fundi”, qytetarët janë ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë përballje radhazi për të treguar se legjitimitetit të kësaj qeverie i ka ardhur fundi./Versus.al

