Çfarë do të gjeni në brendësi
Mijëra qytetarë i janë bashkuar thirrjes për të marrë pjesë në protestën e sotme që po zhvillohet para Kryeministrisë. Me pankarta e flamuj kuq e zi, qytetarë të shumtë, të rinj e të reja marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku njëzëri kanë thirrur në kor “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Ata kërkojnë largimin e klasës së vjetër politike dhe lejimin e elitave të reja në krye të vendit. Mesazhet që u përcollën në nisje të protestës ishin ndaj policisë së cilës i kërkuan të mos pengojë emigrantët që duan t’i bashkohen protestës së madhe të thirrur të shtunën në Tiranë.
“Më dekoruan “Pishtar i Demokracisë”, por e hodha në kosh”, ish-studenti i lëvizjes së Dhjetorit "shpërthen" kundër Berishës e Ramës

Një tjetër protestues që mori fjalën në protestën e sotme ishte një ish-student i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990.
Ai tha se në 1990 protestuan për një Shqipëri si gjithë Evropa, por idealet e asaj kohe nuk u realizuan, ndaj ai u largua nga Shqipëria.
“Berisha n’burg, Rama n’burg dhe gjithë ata që i shkojnë pas”, tha protestuesi ku shtoi se u kthye në 2010 ku donte të investonte por humbi 12 vite të jetës, miliona euro dhe miq e shokë.
"Jam student i '90-s. Na larguan nga vendi strukturat e Sigurimit të asaj kohe. Ëndrra e studentëve të asaj kohe nuk u bë realitet," u shpreh ai duke shtuar se titullin simbolik "Pishtar i Demokracisë", kishte vendosur ta hidhte atë.
"Më kanë dekoruar 'Pishtar i Demokracisë', por unë e kam hedhur në kosh, sepse nuk pranoj të dekorohem nga këlyshët e komunizmit," tha ai.
Duke komentuar protestën e një dite më parë para Kuvendit, ai u shpreh:
"Dje isha pjesë e protestës. Dyqind trima i bënë të dridhen 1.200 policë. Ne nuk jemi kundër investimeve. Jemi populli më proamerikan në Evropë. E duam demokracinë pa këlyshë komunizmi."
Në përfundim të fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit t'i bashkohen protestës.
"Shqipëria është në rrezik. Ejani, bashkohuni me të rinjtë që ta çojmë Shqipërinë në Evropë, atë që nuk arritëm ta bënim në vitin '90. Ose ne, ose ata! Evropa nuk i do hajdutët," përfundoi ai.Versus.al
“Para 5 vitesh mu mbyll biznesi, sot punoj pastruese”, protestuesja nga Astiri: Pensionistët nuk kanë lekë të blejnë ushqime

Një ndër fjalimet e protestës së sotme para Kryeministrisë ishte ajo e një zonje nga Astiri e cila bëri thirrje që të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës.
Ajo tregoi se 5 vite më parë iu mbyll biznesi në zonën e Astirit dhe sot punon pastruese.
“Të gjitha bizneset në Astir nuk kanë punë, i kanë mbyllur bizneset. Unë isha e fundit. Pensionistët më vinin me 2 mijë lekë, 2 domate, 2 qepë. Unë thoja cfarë tu bëj atyre.
Nuk kanë lekë të blejnë, rinia iku”, tha qytetarja.
Më tej ajo bëri thirrje për lirimin e protestuesve që janë ndaluar pas tensioneve tek protesta para Kuvendit, të enjten.
Gruaja tha se ata nuk bënë asnjë akt dhune.Versus.al
Arrestimet e protestuesve, banorja e Rrjollit: PE na mbështet, ka reaguar kundër dhunës

Protesta qytetare para Kryeministrisë është shoqëruar këtë mbrëmje me fjalime të pjesëmarrësve, të cilët kanë përsëritur kërkesat e tyre dhe kanë bërë thirrje për vijimin e mobilizimit.
Gjatë tubimit, banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, deklaroi se protesta ka marrë mbështetje nga përfaqësues të Parlamentit Europian, duke theksuar se është dënuar edhe dhuna e ushtruar ndaj protestuesve.
Sipas saj, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian ka reaguar kundër përdorimit të dhunës nga Policia gjatë protestave.
“Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian është shprehur se dënon çdo dhunë të ushtruar nga Policia ndaj protestuesve”, u shpreh Kokaj.
Ajo shtoi se mbështetja nuk vjen vetëm nga partitë e gjelbra dhe të majta në Parlamentin Europian, por edhe nga Partia Popullore Europiane (PPE), grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian.
Sipas Kokajt, kërkesat e protestuesve janë reflektuar edhe në një rezolutë të miratuar nga eurodeputetët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestën.
Nesër protesta e madhe e Diasporës, aktivistja mesazh policisë të mos pengojë emigrantët në kufi

Ka nisur protesta e 34-tert në Tiranë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë.
Një prej organizatoreve të protestës që po mbahet para Kryeministrisë, i ka bërë thirrje policisë, përmes një komunikate që të mos pengojë emigrantët të cilët do ti bashkohen nesër (4 korrik) protestës së madhe që do të zhvillohet në Tiranë.
“Të shqetësuar për kontrolle të imtësishme në kufi për diasporën që po vjen në Tiranë. Ndalni dhunën dhe represionin policor.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e nesërme të distancohet nga çdo akt dhune dhe nga tolerimi i personave të infiltruar. Detyra juaj është të garantoni sigurinë e qytetarëve, jo të nxisni dhunë.
U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që do t’i bashkohen nesër protestës të mbrojnë karakterin paqësor të saj”, tha ajo.Versus.al
Protesta e 34-t kundër qeverisë në Tiranë, nis marshimi drejt Kryeministrisë

Ka nisur protesta e 34-t radhazi në Tiranë, ku qytetarët janë mbledhur sërish për të protestuar kundër qeverisë.
Tubimi ka nisur në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit janë grumbulluar me pankarta dhe flamuj.
Pas grumbullimit në shesh, qytetarët kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime dhe janë përsëritur kërkesat e protestuesve.Versus.al

